KEK-u, kafshatë e lehtë për Llapin, rivalitet në Drenica-Trepça ‘89

  • 06 April 2019 - 13:57
KEK-u, kafshatë e lehtë për Llapin, rivalitet në Drenica-Trepça ‘89

Nuk ka të ndalur IPKO Superliga e Kosovës, që vjen këtë të shtune, në orën 15:00, me dy takimet e para të javës së 26-të, Drenica-Trepça ’89 dhe KEK-u-Llapi.

Sigurisht llapjanët presin që kjo javë t’u bëjë ndonjë “dhuratë”, duke i afruar më shumë me Feronikelin kryesues apo duke barazuar me pikë ose parakaluar Prishtinën, duke qenë se të dyja kryesueset luajnë jashtë me ekipe që kërkojnë me doemos fitoret për mbijetesë.

KEK-u, me veç një pikë në klasifikim, konsiderohet tashmë një pengese e lehtë për çdo kundërshtar, kështu që pritet fitorja e radhës e skuadrës nga Podujeva me Batatinën trajner.

Interesin më të lartë e merr përplasja mes Drenicës dhe Trepçës ’89.

Në stadiumin “Bajram Aliu” skuadra vendase synon të konsolidojë pozitat në mesin e renditjes, duke iu larguar sa më shumë zonën së barazhit.

Edhe më të nevojshme janë pikët për mitrovicasit, që kanë 2 pikë më pak se rivalët e tyre dhe e ndiejnë më shumë dihatjen e Ballkanit dhe të Flamurtarit.

Në rast suksesi, Trepça ’89 do të katapultohej në vendin e pestë, duke parakaluar pikërisht Drenicën.

Sot (ora 15:00)
Drenica – Trepça ’89
KEK-u – Llapi

E diel
Gjilani – Drita (20:00)
Ballkani – Flamurtari (15:00)
Ferizaj – Prishtina (15:00)
Liria – KF Feronikeli (15:00)

(Kosova Sot)