Panucci: Në Shqipëri s’kishte profesionalizëm

  • 06 April 2019 - 16:17
Panucci: Në Shqipëri s’kishte profesionalizëm

Ish-trajneri i Shqipërisë, Christian Panucci, në një intervistë të gjatë për “Gazzetta dello Sport”, ku u pyet për shumë tema që lidheshin me futbollin italian, foli edhe për shkarkimin e tij nga përfaqësuesja kuqezi.

“Shumë futbollistë luanin pak dhe kohët e fundit ishte e vështirë të gjeje ide të përbashkëta dhe profesionalizëm. M’u bë e vështirë që të përcillja apo praktikoja futbollin që kisha në kokë. Por nuk kam asnjë peng, ishte një eksperiencë fantastike dhe Shqipërisë do t’i them gjithmonë faleminderit, për gjithçka”.

Si një ish-futbollist me shumë eksperiencë edhe në futbollin europin, Panucci dha opinionin e tij për mundësitë që ka Juventusi për të fituar Championsin e sigurisht edhe për Cristiano Ronaldon, që është në garë me kohën për t’u rikuperuar për sfidën me Aajaxin.

“Unë mendoj se Allegri nuk do të rrezikojë nëse ka dyshimin më të vogël. Dhe nëse ka rrezik, të tjerët thjesht duhet t’ia thonë. Ajaxi është një skuadër me një filozofi të qartë lojë, e qarkullon shumë topin. Të vë në vështirësi. Sindroma e humbjeve në finale? Historia e thotë, por nuk besoj. Kur pashë rikthimin që i bënë rezultatit ndaj Atletico Madridit thashë me vete: Ky mund të jetë viti i tyre.”

Trajnerin e Milanit, Gatusso, e krahason me veten. Sipas Panuccit duhet të bëjë autokritikë kur është e nevojshme dhe të rritet më shumë.

“Po bën atë që duhet për të arritur vendin e katërt, megjithëse po rrezikon pak. Skuadra dhe shoqëria rriten pak nga pak nëse arrin Championsin. Skuadrat e mëdha dinë të lënë mënjanë euforinë dhe Gatusso e di këtë. Them se Milani do t’ia dalë të kualifikohet.

“Piatek në 30 metrat e fundit është si në shtëpinë e tij, por sulmuesit janë si bursa, kanë ulje dhe ngritje, por ai e ka golin në gjak. Edhe mbrojtja ka qenë solide me Romagnolin, por që të gjesh një tjetër, duhet të shpenzosh shumë. Unë, Gatusso dhe të gjithë të rinjtë duhet të bëjmë autokritikë, të rritemi, të njihemi me ndryshimet.” 

(Kosova Sot)