Gjilani-Drita në Prishtinë, arrestohen dy tifozë para derbit pasi sulmuan një zyrtar policor

  • 07 April 2019 - 21:31
Gjilani-Drita në Prishtinë, arrestohen dy tifozë para derbit pasi sulmuan një zyrtar policor

Pasi ndeshja Gjilani-Drita u caktua të mbahet në stadiumin e Prishtinës “Fadil Vokrri”, kryeqyteti i Kosovës ishte destinacioni i shumë tifozëve nga qyteti i Gjilanit.

Që mes tifozëve rivalë mos të kishte ndonjë incident Policia e Kosovës shtoi patrullimet në qytet.

Për një moment në sheshin Zahir Pajaziti ndodhi një tension i vogël mes disa tifozëve, por reagimi i policisë ishte i menjëhershëm. Zëdhënësi i policisë, Daut Hoxha, ka konfirmuar për Telegrafin se janë arrestuar dy tifozë, por nuk ka treguar se cilës skuadër i takojnë.

“Rreth orës 19:45 njësia policore ka qenë duke patrulluar ne Sheshin Zahir Pajaziti, në Prishtinë në funksion të mbajtjes së rendit dhe qetësisë. Disa tifozë të dyshuar janë kontrolluar, përderisa gjatë legjitimimit/kontrollit të tyre dy të dyshuar e kanë sulmuar një zyrtar policor”.

“Me këtë rast dy të dyshuarit janë arrestuar nga njësitet policore, janë shoqëruar në polici dhe është filluar procedure hetimore ndaj tyre”.

“Policia mbetet e përkushtuar në mbajtjen e rendit dhe garantimit të sigurisë për të gjithë”, ka thënë Hoxha. 

(Kosova Sot)