Të gjithë sytë te xhudoja

  • 08 April 2019 - 09:50
Të gjithë sytë te xhudoja

 Sportet individuale, më të suksesshme se ato ekipore

Kanë kaluar disa vite nga pranimi i sportit kosovar në arenën ndërkombëtare. Disa sporte kanë pasur fatin që të pranohen më herët e disa më vonë, megjithatë sukseset nuk kanë munguar. Kur flitet për suksese, atëherë xhudoja prin në të gjitha statistikat, duke qenë bindshëm sporti më i suksesshëm. Kohët e fundit nuk po mungojnë sukseset as në sportet ekipore

Katër Ippon dhe medalja e artë. Distria Krasniqi dëshmoi edhe sesa të suksesshëm janë xhudistët e Kosovës në arenën ndërkombëtare. Ajo fitoi medaljen e artë në Turqi, duke vazhduar rrugën e suksesshme të xhudistëve kosovarë në arenën ndërkombëtare. Pas pranimit të sportit kosovar në arenën ndërkombëtare, xhudoja ka qenë bindshëm sporti më i suksesshëm, duke mos lënë anash as sportet tjera si boksi apo karate. Kohët e fundit nuk kanë munguar sukseset as në sporte ekipore si futbolli, hendbolli apo edhe basketbolli.

Suksese me pak investime

Trajneri shumëvjeçar i volejbollit, Xhavit Kajtazi, ka folur sesa ka pasur suksese Kosova në arenën ndërkombëtare pas pranimit.“Për mendimin tim ka pasur shumë suksese. Aq më tepër kur dihet se nëpër çfarë terri sportiv ndërkombëtar ka kaluar sporti i Kosovës përgjatë këtyre shekujve. Nuk e besoj se ndonjë shtet kaq i vogël, siç është Kosova, do të mund të përballonte diskriminimin e tmerrshëm dhe për më pak se një cikël olimpik të mund të ringjallej si feniksi. Ka qenë e ditur se me më pak investime kemi pasur mundësi të dëshmohemi me cilësi dhe me suksese. Këtë e bëri xhudoja, boksi, karateja, por edhe të arriturat në sportet grupore kanë dhënë rezultate shumë të mirë edhe në kategorinë e seniorëve, edhe në atë të grumposhave të reja. Futbolli, pastaj basketbolli, volejbolli dhe hendbolli patën paraqitje shumë të mirë në arenën ndërkombëtare”, është shprehur Xhavit Kajtazi për gazetën “Kosova Sot”.

Më shumë përkrahje financiare

Por, a mundet Kosova të ketë më shumë suksese në rrafshin ndërkombëtar? Gazetari shumëvjeçar i sportit vendor thotë se sikur të kishte më shumë përkrahje, kjo do të ishte e mundur.“Me një kujdes paksa më të madh dhe me një përkrahje më të fuqishme financiare ka pasur mundësi që ky rendiment i rezultateve dhe i sukseseve të jetë më i madh, posaçërisht në sportet grupore. Mirëpo, vonesa e jetësimit të Ligjit për sport dhe e akteve nënligjore ka bërë që ky proces të hasë në vështirësi, sidomos në përkrahjen e klubeve dhe të sportistëve, që sipas mendimit tim ka shkaktuar edhe telashe në punë dhe në gara sidomos ndërkombëtare. Me një fjalë gjithçka ka shkuar më ngadalë, si nëpër teh të shpatës! Edhe mungesa e infrastrukturës sportive e ka bërë të vete...”, ka shtuar tutje Xhavit Kajtazi për gazetën “Kosova Sot”.

Xhudo-ja në fuqi botërore

Por, cilat sporte mund të kenë më shumë sukses? “Të gjithë, sytë dhe mendjen i kemi te xhudoja, e cila është shndërruar në fuqi botërore. Karateja dhe boksi po ashtu mund të bëjnë më shumë, ndërkohë që mundja mund të shpërthejë në çdo çast. Vetëm na duhet durim, punë dhe vetëm punë. Kur kësaj t’ia shtojmë përkrahjen financiare edhe suksesi është i pashmangshëm. Unë personalisht (pas xhudos) jam i interesuar që të bëjmë më shumë për futbollin në rrafshin ndërkombëtar, që nga seniorët e deri te grumposhat e reja. Po bëhet një punë shumë e mirë dhe kjo më jep shpresë se vërtetë Kosova do të shndërrohet në një “xeherore ari” të futbollit botëror, e që qysh tash ia kanë shtuar edhe epitetin “Brazili i Evropës”! Me të drejtë!...”, ka përfunduar Xhavit Kajtazi për gazetën “Kosova Sot”.

Pas pranimit të sportit kosovar në arenën ndërkombëtare, xhudoja ka qenë bindshëm sporti më i suksesshëm, duke mos lënë anash as sportet tjera si boksi apo karate

Përveç sukseseve në sportet individuale, kohët e fundit nuk kanë munguar sukseset as në sporte ekipore si futbolli, hendbolli apo edhe basketbolli

(Kosova Sot)