Berisha rikthehet aty ku e shkroi historinë?

  • 08 April 2019 - 15:14
Berisha rikthehet aty ku e shkroi historinë?

Besart Berisha mund të rikthehet në futbollin australian pasi po has në vështirësi në Japoni dhe së fundmi e fitoi pasaportën australiane

Pasi i kaloi shtate vjet duke luajtur në A-League, Besart Berisha javën e kaluar u bë edhe zyrtarisht shtetas australian.

Ky fakt i ka shtuar spekulimet se sulmuesi kosovar mund të rikthehet për të luajtur në Australi, ku e fitoi titullin e kampionit katër herë.

33 vjeçari momentalisht ka kontratë me ekipin japonez nga J-league, Sanfrecce Hiroshima, por nuk e ka luajtur asnjë minutë në vitin 2019.

Berisha, në fakt, e ka zhvilluar vetëm një ndeshje nga fillimi për Sanfrecce që kur iu bashkua kësaj skuadre vitin e kaluar, ndërsa i ka luajtur 170 minuta në të gjitha kompeticionet, ndërsa emri i tij mungon në skuadrën që është përzgjedhur për Ligën e Kampionëve të Azisë.

Mungesa e minutazhit plus nënshtetësia australiane e kanë bërë lojtarin kandidat për t’u rikthyer në A-League, ndërsa ish bashkëlojtari i tij tek Melbourne Victory, Archie Thompson e mirëpret një ribashkim të mundshëm.

“Ai nuk do ta humb asnjë ndeshje nëse kthehet këtu në Australi. Do të ishte diçka e madhe ta shohim duke u kthyer këtu. Tash nuk do të konsiderohet më si i huaj, kështu që nëse rikthehet në Australi nuk do ta zë ndonjë vend për lojtarë të huaj”, është shprehur Thompson.

Berisha ka kontratë me klubin nga Hiroshima deri në fund të vitit 2019, por ai mund të largohet më herët pasi dëshiron t’i bashkohet një ekipi ku mund të luajë në vazhdimësi, në vitet e fundit të karrierës.

Edhe trajneri i Central Coast Mariners, Mike Mulvey në fillim të këtij sezoni kishte thënë se do të mundohet ta transferojë Berishën, por që nuk kishte arritur ta bindte futbollistin në atë kohë.

Sidoqoftë, Berisha tash mund ta ketë ndërruar mendjen dhe mund të kthehet në Australi në muajt në vazhdim.

(Kosova Sot)