Izraeli, kundërshtar i fortë për Kosovën

  • 09 April 2019 - 09:52
Izraeli, kundërshtar i fortë për Kosovën

Kërkohet përkrahje maksimale për lojtarët e Kosovës

Pas dy ndeshjeve kontrolluese në Turqi, hendbollistët e Kosovës po bëhen gati për dy ndeshjet kualifikuese për “Euro 2020”, kundër Izraelit. Takimi i parë zhvillohet të mërkurën në Prishtinë, ku kërkohet përkrahje maksimale për lojtarët, derisa ndeshja e kthimit më 14 prill

Hendbollistët e Kosovës po përgatiten maksimalisht për ndeshjet shumë të rëndësishme përballë Izraelit. Ndeshja Kosova - Izrael zhvillohet më 10 prill nga ora 19:15 në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë. Më pas më 14 prill Kosova luan sërish me Izraelin në Tel Aviv. Janë këto dy ndeshjet e radhës në fazën e dytë të kualifikimeve për “Euro 2020”.

“Ndeshja e kombëtares së Kosovës ndaj Izraelit është mundësi e madhe për djelmoshat tanë për të shënuar fitoren e parë në fazën e dytë kualifikuese për “Euro 2020”. Që të bëhet kjo e mundur është i domosdoshëm kontributi i të gjithëve. Prandaj të gjithë adhuruesit e hendbollit e kanë vendin në palestër në përkrahje të zëshme për djelmoshat tanë”, është thirrja që është bërë nga Federata e Hendbollit e Kosovës.

Ndeshje që i ndihmojnë përzgjedhësit

Para ndeshje me Izraelin, Kosova ka luajtur edhe dy ndeshje përgatitëse me Turqinë. Ndeshja e dytë është dashur të luhet të dielën, por pas një vendimi të papritur të kombëtares së Turqisë, është luajtur të shtunën në Stamboll. Ndeshjen e së shtunës e fitoi kombëtarja e Turqisë me rezultat 29:22. Ndeshja e parë e luajtur të premten përfundoi me rezultat të barabartë. “Nikoqiri ka ndërruar planet në momentin e fundit. Ishte trajneri turk që vendosi që ndeshja të luhet të shtunën, ndonëse ishim pajtuar për të dielën. Pjesa e parë ishte shumë intensive dhe e shpejtë, por u lodhëm shpejtë dhe nuk patëm shumë mundësi të bëjmë ndërrime, pasi që Endrit Abdullahi e Fatlum Ahmeti nuk kishin arritur me kohë për ndeshje.

Luigj Quni thuajse nga aeroporti erdhi direkt në sallë. Turqit ishin më të fortë dhe më të fokusuar. E kanë merituar fitoren”, është shprehur përzgjedhësi i Kosovës, Taip Ramadani. Ai ka vlerësuar si të rëndësishme edhe ndeshjen e dytë stërvitore, sepse ka marrë përgjigje në disa çështje që kanë të bëjnë me paraqitjen. “Fatmirësisht, nuk patëm lëndime dhe gjithë lojtarët që kishim u angazhuan në lojë.

Provuam kombinime të ndryshme në mbrojtje, si në lojtarë ashtu edhe në sisteme, me sukses në periudha të caktuara. Edhe pse ndeshja është luajtur në atmosferë shoqërore, ka qenë agresive dhe luftarake. Intensiteti ishte shumë më i lartë se në ndeshjen e kaluar, por ndërrimi i planeve nga trajneri turk na mohoi rastin për të provuar Abdullahin dhe Ahmetin. Do të mundohemi të punojmë sa më shumë në dobësitë tonë, që i vërejtëm gjatë dy ndeshjeve”, ka theksuar Ramadani.

Ndeshje luftarake

Përzgjedhësi i Kosovës në hendboll, ka folur edhe për ndeshjet ndaj Izraelit. “Parimisht synim është të arrijmë fitore në shtëpinë tonë dhe aty mund të njoftohemi për së afërmi me kundërshtarin dhe të mendojmë për ndeshjen kthyese në Tel Aviv. Shpresojmë se kemi potencial për të marrë fitore. Por duhet të luajmë me maksimumin tonë dhe të luajmë në nivel superior.

Do të jetë një ndeshje jashtëzakonisht luftarake. Izraeli ka ekip fizik dhe luftarak që luan me intensitet të lartë. Nuk ka gjatësi në përbërje, por fizikisht lojtarët janë mirë të përgatitur dhe kanë shpejtësi në sulm. Izraelitët sigurisht janë frymëzuar nga fitorja e tyre historike ndaj Polonisë”, është shprehur Taip Ramadani.

(Kosova Sot)