Mbrojtësi i Man Unitedit: Festuam kur na ra shorti kundër Barcelonës

  • 09 April 2019 - 10:40
Mbrojtësi i Man Unitedit: Festuam kur na ra shorti kundër Barcelonës

Mbrojtësi i “Djajve të kuq”, Chris Smalling, mezi po pret ta testojë veten kundër një klubi tjetër prej më të mirëve në botë në çerekfinalet e garës më elitare të Evropës.

Chris Smalling është duke u bërë gati për një tjetër përballje epike në Ligën e Kampionëve, pas sfidës me klubin që konsiderohej ndër favoritët për këtë titull, Paris Saint-Germain

Në atë ndeshje, Smalling dhe bashkëlojtarët e tij ishin sfiduar me lojtarë si Kylian Mbappe e Angel Di Maria, mirëpo yjet e Manchester Unitedit janë të gëzuar që do të përballen me superyje të tjerë në fazën çerekfinale.

“Ne po i bënim disa ushtrime në kampin stërvitore kur po zhvillohej shorti. Normalisht ne i bëjmë ato ushtrime të lehta për dhjetë minuta dhe pastaj aktivizohemi më shumë, mirëpo ndoshta ne qëndruam rreth 20 minuta aty për ta shikuar televizionin”, ka bërë të ditur Smallingu.

“Ishim të gjithë shumë të emocionuar. Kur na ra shorti kundër Barcelonës, të gjithë ishim të lumtur. Ne festuam dhe pastaj vazhduam me stërvitje. Por, të paktën e dimë se kë e kemi para vetes”.

“Kur bie shorti për ndeshjes të tilla, ti thua me vete: “Dua të luaj të këtë ndeshje”. Mezi po pres të luaj kundër Messit dhe shpresoj se do t’ia minimizoj rastet sa më shumë që të jetë e mundur sepse e dimë çfarë lojtari i mrekullueshëm është ai. Por, nuk është vetëm Messi, të gjithë ata janë të mrekullueshëm”.

Manchester Unitedi do ta presë Barcelonën në Old Trafford nesër në orën 21:00 për ndeshjen e parë çerekfinale, ndërsa ndeshja kthyese do të zhvillohet në Camp Nou më 16 prill. 

(Kosova Sot)