Sarri ia tregon çmimin e Hazardit Real Madridit

  • 09 April 2019 - 10:51
Sarri ia tregon çmimin e Hazardit Real Madridit

Trajneri i Chelseat ka insistuar se gjiganti spanjoll Real Madrid do të duhet të shpenzojë një shumë të madhe parash nëse dëshiron ta transferojë Eden Hazardin gjatë afatit kalimtar të verës.

Maurizio Sarri beson se Eden Hazardi ka vlerë edhe më të madhe se 100 milionë funta, mirëpo thotë se Chelsea do t’ia respektojë atij dëshirën nëse dëshiron të shkojë në Real Madridit.

Ylli belg e pati një paraqitje të jashtëzakonshme mbrëmë më fitoren 2:0 kundër West Hamit, ku i shënoi dy gola përfshirë këtu golin e mrekullueshëm që e zhbllokoi rezultatin. Kjo fitore e ngriti Chelsean në pozitën e tretë në tabelën e Premierligës.

Për transferimin e Hazardit te gjiganti spanjoll është përfolur tash e një kohë të gjatë, mirëpo tani këto spekulime janë intensifikuar pasi që kontrata e belgut me klubin londinez përfundon vitin tjetër.

“100 milionë funta është shumë lirë. Ne i kemi parë të gjitha çmimet gjatë afateve të fundit kalimtare. Mendoj se është shumë e vështirë ta ndërrosh Hazardin me ndonjë lojtar tjetër”, ka thënë Sarri.

“Jam i sigurt se klubi nuk dëshiron ta shesë atë. Por, natyrisht, ne duhet ta respektojmë vendimin e tij. Ai është në vitin e fundit të kontratës me klubin. Nëse dëshiron ta ketë edhe një tjetër përvojë, do ta respektojmë këtë dëshirë”.

“Natyrisht që ne do të tentojmë ta bindim që të qëndrojë, por nuk është e lehtë. Ai nuk na ka thënë se dëshiron të largohet. Ai vetëm më ka thënë se duhet ta marrë një vendim”.

Këto spekulime u nxitën edhe më shumë këtë javë pas deklaratave të trajnerit të “Los Blancos”, Zinedine Zidane, i cili tha se ka qenë adhurues i madh i Hazardit tash e një kohë të gjatë.

Hazardi e zbuloi në shkurt se ai e ka marrë vendimin përfundimtar për të ardhmen e tij , por nuk tregoi se çfarë vendimi ishte ky: nëse do të qëndronte në Stamford Brige apo të do të kalonte në Santiago Bernabeu. 

(Kosova Sot)