Rekordi i mrekullueshëm i Messit kundër klubeve angleze

  • 09 April 2019 - 13:15
Rekordi i mrekullueshëm i Messit kundër klubeve angleze

Asnjë futbollist në histori të Ligës së Kampionëve nuk ka shënuar më shumë gola kundër klubeve angleze sesa pesë-herë fituesi i Topit të Artë i Barcelonës dhe Argjentinës.

A mund të kishte pasur sukses Leo Messi në një të mërkure të ftohtë e të lagësht në Stoke? Ylli i Barcelonës e posedon një rekord mbresëlënës në Ligën e Kampionëve kundër klubeve angleze që e dëshmon një gjë të tillë.

Messi do të tentojë ta përmirësojë edhe më shumë këtë rekord në përballjen me Manchester Unitedin në çerekfinalet e Ligës së Kampionëve. Kapiteni i Barcelonës vjen në këtë fazë në një superformë, pasi i shënoi dhjetë gola në gjashtë ndeshjet e fundit.

Me 22 gola në Ligën e Kampionëve kundër klubeve angleze, asnjë lojtar as nuk i afrohet rekordit të Messit. I vetmi lojtar tjetër që arrin rekord dyshifror është Cristiano Ronaldo, i cili i ka shënuar 12 gola në 17 paraqitje kundër klubeve angleze në Evropë.

Për më tepër, dy nga këto gola të Messit erdhën pikërisht në finale. Argjentinasi shënoi kundër Manchester Unitedit në finalet e vitit 2009 dhe atë të vitit 2011. Megjithatë, ai ka dështuar të shënojë në gjysmëfinalet kundër “Djajve të kuq” në vitin 2007/08.

Përderisa rekordi i tij i tanishëm kundër klubeve angleze është mbresëlënës, gjërat nuk kanë qenë gjithmonë kështu. Ai as nuk kishte shënuar, as nuk kishte asistuar në nëntë paraqitjet e tij të para kundër klubeve angleze.

Arsenali është kundërshtari i preferuar anglez i Messit. Në gjashtë paraqitje kundër tyre, argjentinasi ka shënuar nëntë herë, përfshirë këtu katër golat në çerekfinalen e vitit 2010.

Messi e ka shënuar vetëm edhe një het-trik tjetër kundër klubeve angleze. Ai shënoi tri herë në përballjen e fazës së grupit të sezonit 2016/17 kundër Manchester Cityt. Paraqitjet e fundit të Messit kundër klubeve angleze mund ta shqetësojnë trajnerin Ole Gunnar Solskjaer, pasi që ai i ka shënuar 12 gola në tetë ndeshjet e fundit, prej të cilave vetëm Tottenhami kishte shpëtuar pa pësuar gol. 

(Kosova Sot)