Monopoli në ligat evropiane: Barça, Juventusi e Bayerni me nga 7 tituj në 10 vjet

  • 09 April 2019 - 15:48
Monopoli në ligat evropiane: Barça, Juventusi e Bayerni me nga 7 tituj në 10 vjet

Përkundër që gara në ligat më të mëdha të futbollit në Evropë vlerësohet si më e vështirë, është relativisht e thjeshtë t’i parashikosh fituesit pasi që Barcelona, Juventusi e Bayern Munichu kanë krijuar një lloj monopoli në ligat e tyre vendore.

Në dhjetë sezonet e fundit në këto liga, tri klubet e lartpërmendura i kanë fituar nga shtatë tituj dhe janë në rrugë të drejtë për ta fituar edhe të tetin, shkruan Marca.

Me fitoren e së shtunës kundër Atletico Madridit, Barcelona e kanë vënë një dorë te trofeu i La Ligës. E vetmja pyetje që mbetet pa përgjigje është kur do ta marrin ata këtë titull. Ky pritet të jetë titulli i tetë i katalonasve në 11 vjet.

Niveli i këtij dominimi të Barcelonës në futbollin spanjoll mund të vërehet më së miri nga fakti që katalonasit i kanë humbur vetëm tri ndeshje në të gjithë sezonet 2017/18 dhe 2018/19.

Në Itali, historia e këtij monopoli është edhe më e theksuar pasi që Juventusi është shumë afër për ta fituar për herë të tetë radhazi titullin e Serisë A. Që kur ata u kthyen në kulmin e futbollit italian, askush s’ka mundur t’i ndalë.

Borussia Dortmund mendoi se sezoni 2018/19 do të ishte më në fund sezoni ku i jep fund dominimit të Bayern Munichut. Mirëpo, kjo ëndërr u shua paksa pas fitores së klubit bavarez 5:0 kundër Dortmundit.

Gjiganti gjerman mund të ketë mbetur prapa në skenën evropiane, megjithatë ata janë afër për ta fituar edhe një herë titullin e Bundesligës dhe vetëm sa do ta përforcojnë skuadrën verës. Tashmë ata kanë arritur marrëveshje për transferimin e Lucas Hernandezit dhe Benjamin Pavardit. 

(Kosova Sot)