Harrojeni shtatorin, “Arena Kombëtare” do të vonojë edhe më shumë

  • 09 prill 2019 - 16:13
Harrojeni shtatorin, “Arena Kombëtare” do të vonojë edhe më shumë

Stadiumi “Arena Kombëtare” në Tiranë nuk pritet të jetë i gatshëm për muajin shtator, i paralajmëruar edhe nga vet Armand Duka

Një paralajmërim dëshpërues për tifozët shqiptarë të Kombëtares së Shqipërisë vjen nga Tirana. Punimet në stadiumin e ri kombëtar që po ndërtohet në Tiranë, sipas të gjitha gjasave, nuk do të përfundojnë as në muajin shtator, siç ishte paralajmëruar.

“Arena Kombëtare” ka nis të ndërtohet në qershorin e vitit 2016, shkruan Gazeta Express. Tashmë punimet kanë arritur në fazën finale. Mirëpo punimet kanë ngecur pikërisht në fazën finale gjë që pritet ta shtyjë edhe më shumë inaugurimin e këtij impianti.

Në fakt, kreu i FSHF-së, Armand Duka, e pati paralajmëruar hapjen e stadiumit me ndeshjen e 10 shtatorit kundër Islandës, në kualifikimet për “Euro 2020”.

Mirëpo, “Sport Ekspres” ka mësuar se shanset që stadiumi të jetë i gatshëm për shtator janë minimale. Gjendja aktuale e stadiumit dhe ngadalësimi i procesit të punimeve nuk japin kurrfarë shenje që stadiumi do të kryhet brenda pesë muajve. Kështu që stadiumi pritet të hapet në nëntor, kur Shqipëria do t’i pres në Tiranë Andorrën dhe Francën në kualifikimet për “Euro 2020”.

(Kosova Sot)