Solskjaer për Messin: Çfarë plani mund të kesh për ta ndalur njërin prej më të mirëve në botë?

  • 09 April 2019 - 16:55
Solskjaer për Messin: Çfarë plani mund të kesh për ta ndalur njërin prej më të mirëve në botë?

Trajneri i Manchester Unitedit, Ole Gunnar Solskjaer, nuk do të bëjë plan të veçantë për ta ndalur magjistarin e Barcelonës, Lionel Messin, në Ligën e Kampionëve, të cilin e ka lartësuar si njërin prej futbollistëve më të mirë në histori të sportit.

“Djajtë e kuq” janë plotësisht të vetëdijshëm për kërcënimin që u vjen nga pesë herë fituesi i Topit të Artë në ndeshjen e parë çerekfinale mes Manchester Unitedit dhe Barcelonës të mërkurën në “Old Trafford”

Por, trajneri norvegjez nuk do të përqendrohet shumë në Messin, sepse, siç thotë, një qasje e tillë do të ishte e pakuptimtë duke ditur se Barça zotëron në skuadër shumë futbollistë të tjerë që mund t’ia fitojnë ndeshjen.

“Çfarë lloj plani mund të kesh për ta ndalur njërin prej më të mirëve në botë?” tha Solskjaeri.

“Këtë sezon kemi luajtur kundër Cristiano Ronaldos, Kylian Mbappes dhe Eden Hazardit. Luis Suarez dhe Philippe Coutinho do të na i alarmojnë mbrojtësit tanë, ta shohim sesi do ta menaxhojmë këtë”, shtoi ai.

I pyetur edhe më tej nëse Messi mund të vlerësohet si lojtar i pandalshëm, Solskjaer theksoi: “Ai është futbollist fantastik dhe do të jetë njëri prej më të mirëve në histori”.

“Do të jetë e vështirë ta ndalim, por kurrë e pamundur”, këmbënguli ai.

(Kosova Sot)