Valverde i përgjigjet Solskjaerit: Messi shfaqet gjithmonë, presim shumë prej tij nesër

  • 09 April 2019 - 19:27
Valverde i përgjigjet Solskjaerit: Messi shfaqet gjithmonë, presim shumë prej tij nesër

Ernesto Valverde pret shumë nga Lionel Messi kundër Manchester Unitedit të mërkurën në Ligën e Kampionëve, duke thënë se magjistari argjentinas gjithmonë shfaqet kur i nevojitet skuadrës.

Manchester Unitedi e pret Barcelonën në “Old Trafford” të mërkurën mbrëma në ndeshjen e parë çerekfinale mes tyre në Ligën e Kampionëve.

Duke folur në një konferencë për media të martën para ndeshjes, Valverde e pranoi se Barça do të varet shumë nga njeriu kryesor i saj, edhe pse sot gjatë ditës, homologu i tij i Man United, Ole Gunnar Solskjaer nuk mendoi se rrezik për skuadrën e tij përbën vetëm Messi.

I pyetur edhe më tej nëse Messi mund të vlerësohet si lojtar i pandalshëm, Solskjaer theksoi: “Ai është futbollist fantastik dhe do të jetë njëri prej më të mirëve në histori”.

“Do të jetë e vështirë ta ndalim, por kurrë e pamundur”, këmbënguli ai.

Por, Valverde thotë se pret që Messi të jetë i pandalshëm ndaj Unitedit.

Duke u përgjigjur ndaj deklaratave të Solskjaer, Valverde tha: “Gjithmonë mendon se mund t’i ndalesh rivalët, por gjithsesi, ne presim shumë nga Messi nesër, ai shfaqet gjithmonë”. 

(Kosova Sot)