Pique: Ndeshja e Man Unitedit kundër PSG-së është shembull për ne

  • 10 April 2019 - 09:50
Pique: Ndeshja e Man Unitedit kundër PSG-së është shembull për ne

Qendërmbrojtësi i Barcelonës, Gerard Pique, beson se Manchester Unitedi nuk dorëzohet kurrë dhe kjo është arsyeja kryesore pse katalonasit nuk duhet të rrezikojnë kundër tyre në çerekfinale të Ligës së Kampionëve.

Kampionia në fuqi e La Ligës, Barcelona, do ta vizitojë Old Trafford të mërkurën për ndeshjen e parë në kuadër të çerekfinaleve të këtij sezoni të Ligës së Kampionëve. Ndeshja kthyese në Camp Nou do të zhvillohet më 16 prill.

Skuadra e Ernesto Valverdes ka qenë në formë tejet mbresëlënëse këtë sezon, e veçanërisht ylli argjentinas Lionel Messi, i cili ka arritur t’i shënojë 43 gola dhe t’i asistojë 21 të tjera në vetëm 40 ndeshje të zhvilluara.

Vetë legjenda e Manchester Unitedit, Dwight Yorke, është shprehur se anglezët s’mund ta ndalin Messin, mirëpo Pique beson se as Barcelona nuk mund të rrezikojë t’i lë lojtarët e Manchester Unitedit të pambrojtur.

“E kam parë përsëritjen e ndeshjes mes Manchester Unitedit e Paris Saint-Germainit. Ai është një shembull i mirë. Nuk mund t’i lësh asnjëherë lojtarët e tyre të pambrojtur, duhet ta përfundosh punën sa më shpejt”, ka thënë Pique.

“Ata e dëshmuan këtë kundër PSG-së. Kanë shumë lojtarë të rinj të mirë. Penalltia në fund ishte një shembull i mirë se çfarë mund të ndodhë. E dimë sa të rrezikshëm janë ata”.

Para se të transferohej në Barcelonë, Pique kishte qenë pjesë e skuadrës së Manchester Unitedit, për të cilët i bëri 23 paraqitje në të gjitha garat. 

(Kosova Sot)