Sterling për thirrjet raciste të malaziasve: Nëna ime më ka thënë se jam një mbret me ngjyrë

  • 10 April 2019 - 09:59
Sterling për thirrjet raciste të malaziasve: Nëna ime më ka thënë se jam një mbret me ngjyrë

Sulmuesi anglez nuk e sheh veten si lider në luftën kundër racizmit në futboll, mirëpo ka bërë të ditur se do të vazhdojë të flasë kundër kësaj dukurie.

Anësori i Manchester Cityt, Raheem Sterling, po vazhdon të marrë shembull nga këshillat e nënës së tij për vetëbesim dhe për luftën kundër racizmit në futboll.

Gjatë javëve të fundit një numër i madh i rasteve e kanë ndyrë futbollin. Fillimisht, tifozët e Malit të Zi bënë thirrje raciste ndaj futbollistëve të Anglisë në ndeshjen kualifikuese për EURO 2020, në kuadër të Grupit A, ku garon edhe Kosova.

Adoleshenti i Juventusit, Moise Kean, u bë gjithashtu viktimë e thirrjeve raciste nga tifozët e Cagliarit, gjatë fitores 2:0 në Serie A për “Zonjën e Vjetër”. Ai më vonë e shënoi një gol dhe e festoi atë duke i mbajtur krahët e hapur, që shkaktoi edhe më thirrje raciste ndaj tij.

Me thirrje të ngjashme u përball edhe Wilfried Zaha i Crystal Palace në ndeshjen e fundit, ndërsa më parë ishte përballur edhe Raheem Sterlingu, në një ndeshje kundër Chelseat, në dhjetor të vitit të kaluar.

“Kam dëgjuar njerëzit të thonë se unë jam lider në këtë luftë, por unë nuk e shoh kështu. Kur isha fëmijë, mësova se e vetmja herë kur e sheh Raheemin e vërtetë është kur ai është i zemëruar”, është shprehur Sterlingu.

“Atëherë ai fillon të flasë dhe situata të caktuara këtë sezon e kanë nxjerrë këtë gjë nga unë. Unë vetëm doja të ndriçoja diçka, jo të tentoj të bëhem lider i diçkaje. Kur unë e bëra atë postim, nuk e bërë për të qenë lider”.

“E bëra vetëm që njerëzit ta shohin edhe pikëpamjen time dhe nganjëherë edhe të tjerëve. Njerëzit reagojnë në mënyrë të ndryshme, disa reagojnë me më shumë emocione sesa disa të tjerë”.

“Nuk mendoj se të largohemi nga fusha është zgjidhja e duhur sepse në fund të fundit ne jemi futbollistë. Nëna ime gjithmonë më ka thënë se unë jam një mbret me ngjyrë. Gjithmonë më ka mësuar të jem rehat në trupin tim dhe të jem rehat me ngjyrën e lëkurës time”.

“Kur dikush më thotë se jam me ngjyrë… duhet të bësh më shumë për të më lënduar dhe për të më thyer. Unë preferoj ta fitoj ndeshjen më shumë sesa ta lëmë atë në gjysmë. Është kaq e thjeshtë”. 

(Kosova Sot)