Reagimi i Guardiolës pasi Aguero e humbi penalltinë

  • 10 April 2019 - 10:02
Reagimi i Guardiolës pasi Aguero e humbi penalltinë

Reagimi i Pep Guardiolës ndaj penalltisë së humbur nga Sergio Aguero në ndeshjen e mbrëmshme kundër Tottenhamit ishte i ngjashëm me reagimet e tifozëve të Manchester Cityt të pranishëm në stadium.

Në ndeshjen e mbrëmshme mes Manchester Cityt dhe Tottenhamit, në kuadër të çerekfinaleve të Ligës së Kampionëve, gjyqtari ia dha kampionit në fuqi të Premierligës një penallti pas konsultimit me VAR-in.

Mbrojtësi i Tottenhamit, Danny Rose, e kishte ndalur goditjen e Raheem Sterlingut me dorë, por pasi që dora e Rose ishte në një pozitë jo të natyrshme, gjyqtari e akordoi penalltinë edhe pse mbrojtësi kishte qenë shumë afër Sterlingut.

Sulmuesi 30-vjeçar, Sergio Aguero, vendosi ta godasë këtë penallti dhe portieri i Tottenhamit triumfoi në këtë përballje, duke ia mohuar Manchester Cityt golin e parë të ndeshjes.

(Reagimin e Guardiolës mund ta shikoni në minutën 00:32)

Trajneri i Manchester Cityt po shikonte në dysheme kur Aguero po e godiste topin, mirëpo ndihmësi i tij, Mikel Arteta, ia dha atij lajmin e hidhur, duke e prekur në krahë. Reagimi i tij është shpërndarë gjithandej në rrjete sociale.

Tottenhami e fitoi këtë ndeshje me rezultat 1:0, përmes golit të shënuar nga Heung-Min Son 12 minuta para fundit të kohës së rregullt të ndeshjes. 

(Kosova Sot)