Kosova është gati

  • 10 April 2019 - 10:06
Kosova është gati

 Kosova A përballet me Izraelin në një sfidë aspak të lehtë

 Nga dita e mërkurë nis ‘Java e Hendbollit’, ku do luajnë Kosova A, U-21 dhe U-19. Hendbollistët e Kosovës do të përballen me Izraelin, në një përballje aspak të lehtë, derisa gjenerata U-21 kërkon që të kualifikohet për herë të parë në një Kampionat Botëror

Kosova është gati për ndeshjet e hendbollit që i presin në këtë javë dhe që janë shumë të rëndësishme. Kjo javë me të drejt mund të quhet ‘Java e Hendbollit’, pasi luajnë Kosova A, U-21 dhe U-19, me ndeshje kualifikuese dhe shumë të rëndësishme. Të mërkurën (më 10 prill) Prishtina do të jetë mikpritëse e takimeve shumë të rëndësishme.

Sonte (e mërkurë) ballafaqohet në orën 19:15 me Izraelin, në kuadër të xhiros së tretë të grupit 1 të kualifikueseve për Kampionatin Evropian 2020 (meshkujt). Ndeshja mes Kosovës dhe Izraelit zhvillohet në Pallatin e Rinisë dhe të Sportit në Prishtinë, e cila pritet të mbledhë sa më shumë shikues.

Organizimi në Prishtinë

Kosova deri më tani ka zhvilluar dy ndeshje, të parën si mysafir me Poloninë ku kishte pësuar humbje me 37:13, dhe të dytën në Prishtinë u mposhtën nga Gjermania me 30:14. Izraeli ka një fitore e një humbje. Ata si mysafirë u mposhtën me rezultat 37:21 nga Gjermania dhe si vendas e mundën me një goldallim (25:24) Poloninë. Kosova U-19 dhe Kosova U-21 luajnë në kuadër të “IHF Trophy Intercontinental”. Presidenti i Federatës së Hendbollit të Kosovës, Eugen Saraçini, është shprehur se kryeqyteti është mikpritës i tri ngjarjeve të mëdha. “Kemi qenë me fat që Federata e Hendbollit e Kosovës po e organizon këtë IHF turne, që ka pasur konkurrencë mjaft të madhe për të fituar këtë organizim dhe fatmirësisht ne e kemi marr mbi vete këtë organizim.

Në dy kategoritë i kemi ekipet tona, të cilat do të marrin pjesë, kështu që besoj dhe shpresoj në organizim të mirë po edhe në arritje të rezultateve. Në kategorinë U-19 dhe U-21 do të garojnë nga 6 ekipe, aty është Kosova, SHBA, Kanadaja, Zelanda e Re, Paraguai dhe Nigeria. Këto angazhime të federatës kanë rezultuar deri me tash mjaft të suksesshme, të tri ekipet, janë në përgatitje intensive dhe janë të gatshme për të filluar garat të ditës së mërkurë”, është shprehur Saraçini.

Të përgatitur maksimalisht për sfidën e sotme

Taip Ramadani, përzgjedhës i Kosovës, është shprehur se janë përgatitur dhe me një kujdes të madh i qaset takimit me izraelitët. “E kemi lojën e rëndësishme, është lojë kualifikuese për Kampionatin Evropian 2020. Kam pasur mundësinë që ta përcjelli Izraelin, është një ekip jashtëzakonisht i fortë, kanë përgatitje të shkëlqyeshme fizike, pjesa përbërëse e ekipit luan në Izrael dhe çdo njëri prej tyre ka më shumë se 50 lojë ndërkombëtare, një përvojë të madhe.

Është ekip i përsosur, i kompletuar dhe luajnë me një sistem, që shumë pak lojtarë i devijojnë sistemit të trajnerit dhe në këtë rast janë të disiplinuar dhe janë kundërshtar serioz. Ata në tetor kanë befasuar edhe Poloninë me fitoren në vendin e vet, kështu që, mendojmë dhe shpresojmë se lojtarët janë të frymëzuar nga kjo fitore e rëndësishme për ta. Ne kemi pasur katër ditë përgatitje në Turqi, patëm rastin edhe t’i luajmë dy miqësore me ekipin turk, pata rastin të shoh formën e lojtarëve të mi, jam shumë i kënaqur me shumicën e lojtarëve dhe janë tash në fazë përfunduese të kampionatit e janë të përgatitur mirë, sidomos lojtarët e Ferizajt dhe të Pejës, po ashtu edhe lojtarët që kanë ardhur nga jashtë, nuk kam pasur mundësi t’i provojë Enis Kabashin dhe Valon Dedajn, që kanë ardhur nga Gjermania. Kemi edhe një stërvitje para ndeshjes me Izraelin dhe të komponohem”, thotë Ramadani.

Ai vlerësoi në detaje kundërshtarin. “Në fazën e dytë kualifikuese të gjitha ekipet janë të forta, të gjitha më të forta dhe me përvojë se ne. Ajo që dua ta theksoj është se, ne kemi qenë ekip i përgjysmuar në Poloni, kemi pasur shumë lëndime, gati kemi shkuar me ekip të dytë. Mungesa e lojtarëve ka ndikuar në këtë rezultat. Izraeli është ekip serioz dhe do të jetë një lojë e fortë, janë ekip luftarak, janë ekip që ndjejnë pasion dhe dashurinë e shtetit, luftojnë me zemër”, shtoi tutje përzgjedhësi i Kosovës në një konferencë për media.

 Muhaxheri flet për gjendjen e ekipit dhe rivalët

Por, Kosova U-21 ka një rast të mirë që të kualifikohet direkt në Kampionatin Botëror, që mbahet në muajin korrik në Spanjë. Trajneri i Kosovës U-21, Fatmir Muhaxheri, tha se atmosferë është e mirë brenda ekipit. “Sa i përket atmosferës dhe përgatitjes së skuadrës U-21, lirisht mund të them se është e mirë. Mendoj se kemi një skuadër mjaft cilësore edhe pse kemi bërë disa përforcime nga jashtë, edhe plus 14 lojtarë janë nga IHF Troph 2018 që u mbajt në Prishtinë.

Nëse zëmë vendin e parë, do të kualifikohemi direkt në Kampionatin Botëror U-21, ndoshta do të jetë edhe skuadra e vetme që do të marrë pjesë në këtë ngjarje të madhe”, deklaroi Muhaxheri. Ai foli edhe gjendjen e lojtarëve. “Diçka nuk është në rregull me largimin e tre hendbollistëve, të cilët mund të jenë pjesë e përfaqësueses dhe është një rregull e re të EHF-i, që duhet të janë 14 dhe jo 16 lojtarë. Ne i kemi pasur 17 në përgatitje, ku atmosfera ka qenë shumë e mirë, edhe pse fatkeqësisht është dashur të largohen.

Ata do të jenë një ditë në ekipin e parë, edhe pse jo në ndeshjen me Izraelin”, thotë Muhaxheri. Në fund, Muhaxheri foli edhe sa i njeh rivalët. “E kemi studiuar lojën e Taipei Kinez, është një lojë presingu e tyre, lojë e shpejt dhe duhet mençuri e lojtarëve tonë. Problemin më të madh e kemi Paraguain dhe Amerikën, ku Amerika ka një ekip shumë cilësore. Kam përcjell së paku gjashtë ndeshje të tyre. Nigeria nuk është skuadër e keqe, është kualifikuar me U-21 për Kampionatin Botëror, po të njëjtën gjë e kanë bërë edhe Amerika, që janë të kualifikuar dhe luftojnë për prestigj. Kemi katër përforcime nga jashtë, kemi një djalë që vjen nga Gummersbach, Albin Xhafollin, pastaj Rinor Abdylin nga Zvicra, që luan në Ligën e Dytë dhe Ardian Halilin në Ligën e Tretë gjermane, po ashtu edhe Blendi Dalladadun që luan për Nantes-in”, përfundoi Muhaxheri.

Ramadani

Legjendë:

Taip Ramadani

Kosova U-21 është në Grupin A, ku luan me Taipein Kinez, nga ora 15:00, të mërkurën. Të enjten është ndeshja Taipei Kinez - Nigeria (17:00), kurse të premten prej orës 19:00 luajnë Nigeria dhe Kosova. Në Grupin B, të mërkurën është ndeshja SHBA - Australia (13:00), të enjten Australia - Paraguai (15:00), kurse të premten Paraguai - SHBA (15:00)

Box

Grupi I

E mërkurë

Polonia-Gjermania 18:00

Kosova-Izraeli 19:15

Tabela

1. Gjermania 2 4

2. Izraeli 2 2

3. Polonia 2 2

4. Kosova 2 0

Kosova U-19 në Grupin B

Kosova U-19 është në Grupin B së bashku me Kanadanë e Zelandën e Re. Në grupin A janë Nigeria, Paraguai e Taipei Kinez. Dy ndeshjet e së mërkurës luhen në palestrën “1 Tetori”. Takohen: Zelanda e Re - Kanada (14:00) e Taipei Kinez - Nigeria (17:00). Prej së enjtes ndeshjet luhen në Pallatin e Rinisë dhe të Sportit, ku luajnë Paraguai - Taipei Kinez (13:00) e Kosova - Zelanda e Re (19:00). Të premten luhen dy ndeshje e tjera: Nigeria - Paraguai (13:00), Kanada - Kosova (17:00). Të shtunën janë gjysmëfinalet e të dielën finalja dhe ndeshja për vend të tretë

(Kosova Sot)