De Jong: Juventusi është më i mirë se Real Madridi

  • 10 April 2019 - 13:07
De Jong: Juventusi është më i mirë se Real Madridi

Mesfushori i Ajaxit, Frenkie de Jongu, pretendon se ndeshja çerekfinale kundër Juventusit do të jetë më e vështirë sesa ndeshja e 1/8 të finales së Ligës së Kampionëve kundër Real Madridit.

Ajaxi e eliminoi Real Madridin nga Liga e Kampionëve, duke fituar me rezultat të përgjithshëm 5:3 në përballjet e 1/8 të finales së Ligës së Kampionëve. Ajaxi e fitoi ndeshjen kthyese në Santiago Bernabeu me rezultat 4:1.

Sonte, Ajaxi do ta presë Juventusin në shtëpi për ndeshjen e parë në kuadër të çerekfinaleve dhe Frenkie de Jong beson se kjo ndeshje do të jetë më e vështirë sesa ajo kundër madrilenëve, pasi që italianët janë më të mirë.

“Unë e vlerësoj Juventusin më shumë sesa Real Madridin. Mos më keqkuptoni, Real Madridi është klub i nivelit më të lartë, por këtë sezon ata kanë qenë në formë paksa më të dobët”, është shprehur De Jong, i cili ka arritur marrëveshje që në fund të sezonit të transferohet në Barcelonë.

“Juventusi është njëri ndër favoritët për trofeun. Jam kurioz ta di se si do të përballemi me ta. Është një sfidë e mrekullueshme. Nëse e arrijmë nivelin tonë të zakonshëm, mund t’ia vështirësojmë punën Juventusit”.

“Shpresoj që Cristiano Ronaldo të jetë rikuperuar nga lëndimi i tij. Ai është lojtar i klasit botëror dhe edhe pse mundësitë tona për të fituar janë më të mira pa të në fushë, unë dua të luaj kundër më të mirëve dhe t’i mposht ata”. 

(Kosova Sot)