Menaxheri i Bale e zbulon të ardhmen e uellsianit

  • 10 April 2019 - 15:42
Menaxheri i Bale e zbulon të ardhmen e uellsianit

Menaxheri i Gareth Bale, Jonathan Barnett, beson se klienti i tij nuk është duke e shqyrtuar mundësinë e kthimit në Premierligë, edhe nëse e ardhmja e tij në Real Madrid është e paqartë.

Ylli i ekipit kombëtar të Uellsit, Gareth Bale, ka qenë i përfolur për një transferim në Angli gjatë këtij sezoni të tij, i cili është viti i gjashtë në Madrid për të dhe po rezulton të jetë më i vështiri deri më tani

29-vjeçari, i cili i ka shënuar 14 gola në 38 paraqitje në të gjitha garat gjatë këtij sezoni, u fishkëllye nga tifozët e Real Madridit gjatë fitores jobindëse të “Los Blancos’ kundër Eibarit, në kuadër të La Ligës.

Zinedine Zidane, i cili u kthye në pozitën e trajnerit muajin e kaluar, nuk ka pranuar ta komentojë të ardhmen e Bale deri më tani dhe nuk ka pranuar ta garantojë uellsianin se do të jetë pjesë e planeve të klubit për sezonin e ardhshëm.

Megjithatë, Barnett insiston se Bale nuk do të largohet nga Santiago Bernabeu.

“Ai është shumë i lumtur këtu. Ai është lojtar i Real Madridit. Tani për tani, ai nuk po e mendon një kthim të mundshëm në Angli”, ka thënë Barnett për Deportes Cuatro.

“Nuk mund ta parashikoj të ardhmen. Por, tani për tani, ai është shumë i lumtur”.

Bale u transferua në Real Madrid nga Tottenhami në vitin 2013 për 100 milionë euro, që atëherë e theu rekordin për lojtarin më të shtrenjtë në botë. Ai i ka fituar 13 trofe gjatë kohës së tij në Spanjë, përfshirë këtu katër tituj të Ligës së Kampionëve.

Manchester Unitedi dhe Chelsea janë interesuar vazhdimisht për Bale, megjithatë asnjëherë nuk është arritur diçka konkrete në bisedimet me lojtarin apo Real Madridin. 

(Kosova Sot)