Viktimat e Ronaldos në Ligën e Kampionëve

  • 10 April 2019 - 16:04
Viktimat e Ronaldos në Ligën e Kampionëve

Kur bëhet fjalë për gola në Ligën e Kampionëve, Cristiano Ronaldo qëndron i vetëm si golashënuesi më i mirë në histori të kësaj gare.

Kapiteni portugez shkëlqen edhe në garat e tjera, mirëpo ai është edhe më i motivuar kur luan në Ligën e Kampionëve. Ai ka qenë golashënuesi më i mirë i kësaj gare për shtatë sezone dhe e ka një rekord i cili do të jetë vështirë të arrihet nga ndonjë futbollist.

Vetëm rivali i vjetër i Ronaldos, Lionel Messi, i afrohet portugezit, si lojtari i vetëm tjetër që ka arritur t’i shënojë mbi 100 gola në Ligën e Kampionëve.

Në pothuajse dy dekada duke luajtur në Ligën e Kampionëve, Ronaldo e ka bërë shprehi të shënojë kundër disa klubeve të caktuara. Megjithatë, ai ka dështuar të tregohet i saktë para portës kundër disa klubeve.

Çuditërisht, viktima e preferuar e Ronaldos në Ligën e Kampionëve është pikërisht ekipi ku ai luan tani: Juventusi. Sulmuesi i ka shënuar dhjetë gola në shtatë ndeshje kundër “Zonjës së Vjetër”, përfshirë këtu edhe finalen e vitit 2017.

Pas Juventusit, Bayerni është klubi që ka marrë më së shumti gola të shënuara nga Ronaldo. Klubi gjerman i ka pësuar nëntë gola nga portugezi, në gjithsej tetë takime. Ronaldo i ka shënuar nga shtatë gola kundër Schalkes, Ajaxit dhe Atletico Madridit. 

(Kosova Sot)