Gundogan: Man City s’është ekip i madh, është dashur ta shkatërronim Tottenhamin

  • 10 April 2019 - 16:38
Gundogan: Man City s’është ekip i madh, është dashur ta shkatërronim Tottenhamin

Ilkay Gundogan e ka kritikuar ashpër klubin e tij, Manchester City, për humbjen 1:0 kundër Tottenhamit në Ligën e Kampionëve, duke këmbëngulur se City nuk mund të vlerësohet si ekip i madh nëse s’i fiton ndeshjet e mëdha si ajo e së martës.

Tottenhami triumfoi në ndeshjen e parë çerekfinale në stadiumin e tij të ri, Tottenham Hotspur Stadium, falë një goli të vonshëm të sulmuesit Heung-Min Son.

Kjo nënkupton se tani City i ka humbur të gjitha pesë ndeshjen evropiane kundër kundërshtarëve anglezë.

Skuadra e Pep Guardiolës e pagoi shtrenjtë penalltinë e humbur nga Sergio Aguero në fillim të takimit, të cilën ia priti Hugo Lloris.

Mesfushori gjerman Gundogan ndien se ndeshja do të kishte marrë drejtim tjetër sikur sulmuesi argjentinas të shënonte nga pika e bardhë, duke këmbëngulur se futbollistët e City ishin nervozë dhe si pasojë merrnin vendime të gabuar në ndeshje.

“Nuk ishim të guximshëm mjaftueshëm në këtë ndeshje, kemi bërë shumë gabime të thjeshta”, tha Gundogan.

“Ne jemi nervozë në ndeshje të rëndësishme të Ligës së Kampionëve. Gjithmonë i marrim vendimet e gabuara. Pas penalltisë së humbur erdhi pushimi mes pjesëve. Përvoja të tilla negative gjithmonë na kthejnë shumë prapa. Sikur ta shënonim penalltinë, do ta kishim shkatërruar Tottenhamin. Kjo është arsyeja përse e humbëm ndeshjen”, shtoi ai.

“Kjo nuk guxon t’i ndodhë një ekipi të madh. Prandaj ne ende nuk jemi i tillë”, shpjegoi ai. 

(Kosova Sot)