Werderi me Rashicën regjistrojnë sukses historik në Evropë

  • 10 April 2019 - 16:41
Werderi me Rashicën regjistrojnë sukses historik në Evropë

Werder Bremeni dhe Paris Saint-Germaini janë dy skuadrat e vetme në pesë ligat më të forta të Evropës që kanë shënuar gol në çdo ndeshje kampionale. E merita për këtë arritje historike të skuadrës gjermane ka edhe Milot Rashica

Werder Bremeni i Milot Rashicës po i thyen rekordet një pas një këtë sezon.

Skuadra gjermane është ndër të paktat në Evropë që nuk ka pësuar ende humbje në vitin 2019.

Mirëpo, këtë ekip e veçon edhe diçka tjetër.

Në fakt, Werderi është njëri nga dy ekipet e vetme në 5 ligat më të forta evropiane që ka shënuar gol në të gjitha ndeshjet kampionale këtë sezon.

Krahas ekipit gjelbër e bardh është edhe Paris Saint-Germaini, i cili ka realizuar 89 gola në 30 ndeshje .

Deri para pak kohësh në këtë “valle” ishin edhe Barcelona e Juventusi, por ato nuk arritën të shënonin në ndeshje kundër Athletic Bilbaos (0:0) dhe kundër Gironas (0:2).

Skuadra gjermane i ka fituar 11 ndeshje, ka barazuar në 10 të tjera dhe i ka pësuar 7 humbje.

Djelmoshat e Florian Kohfeldt me 43 pikë janë protagonistë të sezonit më të mirë, që nga sezoni 2009-2010.

Werderi është i teti në Bundesligë, vetëm dy pikë prapa Wolfsburgut, i cili e mbyll “zonën Europa League”, ndërsa Rashica më shokë do të luajnë edhe në gjysmëfinale të Kupës së Gjermanisë kundër Bayern Munichut në shtëpi.

Eksplodimi i skuadrës nga Bremeni i ka shumë “vëllezër”: janë 14 futbollistë që e kanë shënuar së paku nga një gol këtë sezon.

Max Kruse ka shënuar 10 gola, për të vazhduar me Milot Rashicën, që i ka realizuar 8, pastaj Maximilian Eggestein 5, Klaassen e Harnik 4; Osako, Pizarro e Johannes Eggestein 3; Gebre Selassie, Möhëald e Sargent 2; Augustinsson, Nuri Sahin e Veljkovic 1.

“Mundohemi gjithmonë të luajmë futboll ofanziv. Golat që i realizojmë janë produkt i punës së vështirë. Ushtrojmë, presim dhe në fund shënojmë”, ka thënë Rashica pas fitores 3:1 në shtëpi të Leverkusenit.Futbollisti kosovar është duke e kaluar sezonin më të mirë në karrierë, sidomos që nga fillimi i vitit 2019, ku ka realizuar 7 gola. 

(Kosova Sot)