Babaj: Nuk ngritët cilësia derisa një njeri i vetëm i kryen 100 punë në ekip

  • 11 April 2019 - 10:20
Babaj: Nuk ngritët cilësia derisa një njeri i vetëm i kryen 100 punë në ekip

Në afatin kalimtar të verës përforcimet duhet të jenë më cilësore

“Cilësia pse është kaq e dobët them se është për shkak të infrastrukturës së dobët, por edhe derisa tek ne një trajner merret me nxehjen e ekipit, kondicionin e lojtarëve, me taktikë e teknikë të lojës, pasi është i vetëm dhe nuk ka bashkëpunëtorë, nuk mund të presim ngritje të nivelit të futbollit”, ka thënë për gazetën “Kosova Sot”, Shpëtim Babaj

Futbolli i Kosovës, edhe pse po i bën tri vjet që është pjesë e arenës ndërkombëtare, assesi nuk po lëviz me hapa para sa i përket cilësisë. Këtë e pranojnë edhe analistët, sipas të cilëve ka shumë arsye pse po ndodh kjo.“Derisa trajneri merret me nxehjen e ekipit, përgatitjen kondicionale të lojtarëve, punën me portierë si dhe përgatitjen tekniko-taktike të lojës, nuk mund të kërkosh ngritje të cilësisë”, ka thënë ish- futbollisti i mirënjohur kosovar, Shpëtim Babaj tash menaxher i futbollistëve.

Babaj gjatë një bisede për gazetën “Kosova Sot” e ka pranuar se investimet në futbollin kosovar kanë nisur të shtohen, por që niveli fatkeqësisht vazhdon të mbetet i dobët. Sipas Babajt, ka shumë arsye pse cilësia nuk po ngritët, por që me theks të veçantë, ai e përmend edhe infrastrukturën si një pengesë bukur të madhe. Deri në fund të kampionatin kanë mbetur edhe 7 ndeshje për t’u zhvilluar, derisa njohësit e futbollit mendojnë se në të ardhmen klubet tona, para se të përcaktohen për përforcime, ato duhet të angazhojnë njerëz që njohin mirë këtë lami dhe mund të gjejnë lojtarë të përshtatshëm për kampionatin tonë.

Përforcimet e paanalizuara

Në afatin kalimtar të dimrit klubet tona bën bukur shumë investime në lojtarë të huaj, madje duke sjellë edhe trajnerë nga jashtë, por kur jemi në fazën finale të garave, analistët vlerësojnë se ky kampionat nuk ndryshon aspak për nga cilësia me kampionatet e kaluara. Sipas Babajt, klubet para se të vendosin për një përforcim, ato duhet ta analizojnë shumë më shumë atë lojtar. “Sa u përket përforcimeve, ato vendosen varësisht nga politika e klubit dhe nga objektivat që kanë.

Nëse klubi dëshiron rezultate të menjëhershme (gjë që nuk duhet ndodhur, por që po ndodh vazhdimisht në Kosovë dhe në Shqipëri), atëherë duhet ta lejojnë trajnerin që në bashkëpunim me drejtorin sportiv t’i zgjedhin lojtaret”, ka thënë Babaj, sipas të cilit drejtuesit e klubeve duhet të jenë më profesionistë dhe mos të presin rezultate të menjëhershme. “Përforcimet jo gjithmonë ndezin menjëherë. Pra, klubet duhet t’u japin kohë e jo ta kushtëzojnë trajnerit ‘ke marrë përforcime, duam rezultate menjëherë’. Kështu nuk kemi përparim”, ka thënë për gazetën “Kosova Sot”, Shpëtim Babaj.

Cilësia nën nivel
 

Futbolli ynë ka kohë që përballet me problemet e cilësisë, kjo edhe po ndikon që stadiumet të jenë të boshatisura, pasi tifozët duan lojë të bukur për sy. “Cilësia pse është kaq e dobët them se është për shkak të infrastrukturës së dobët, por edhe derisa tek ne një trajner merret me nxehjen e ekipit, kondicionin e lojtarëve, me taktikë e teknikë të lojës, pasi është i vetëm dhe natyrisht nuk mund të presim më shumë.

Është për të ardhur keq kur shohim se si trajneri ka probleme për t’i mbledhur 11 lojtarë, për shkak të fondit të dobët. Kjo sigurisht që nuk e lejon ngritjen e cilësisë”, ka thënë Babaj, sipas të cilit qasja e klubeve tona duhet të ndryshojë dhe në afatin kalimtar të verës duhet të analizojnë mirë para se të vendosin për investime.

“Kur të marrësh ndonjë përforcim nga jashtë, atëherë duhet ta analizosh mirë lojtarin para se ta marrësh. Sigurisht për të marrë lojtarë të mëdhenj është vështirë, pasi këtu janë kushtet e dobëta, kështu që duhet hulumtim i madh për të gjetur lojtarë që mund të bëjnë diferencën në futbollin kosovar”, ka përfunduar Shpëtim Babaj.

(Kosova Sot)