Fitore e madhe për Kosovën

  • 11 April 2019 - 10:25
Fitore e madhe për Kosovën

Ndeshja e kthimit zhvillohet të mërkurën në Tel Aviv

Kosova ka mundur Izraelin me rezultat 27:24, në ndeshjen kualifikuese për Kampionat Evropian, që u zhvillua në Prishtinë. Kjo ishte fitorja e parë e Kosovës në kualifikime, derisa ndeshja e kthimit zhvillohet të mërkurën në Tel Aviv

Kosova shkëlqeu me lojë dhe rezultat duke i shkaktuar humbje Izraelit me 27:24 (12;8), në ndeshjen që u zhvillua në një atmosferë fantastike në Prishtinë. Kjo është fitorja e parë e Kosovës, pas humbjes si mysafir nga Polonia me rezultat 37:14 dhe si vendas nga Gjermania me 14:30. Kështu u barazuan me pikë me polakët dhe izraelitët.

Dallohet Valon Dedaj me dhjetë gola

Një fitore që hap rrugët për një kualifikim të mundshëm për hendbollistët e Kosovës. Një reflektim i punës së madhe që ka bërë përzgjedhësi Taip Ramadani, i cili ka komponuar një ekip që po jep frytet e saj dhe me lojë e rezultat bëri krenarë të gjithë. Në minutën e 19-të, Kosova ishte në epërsi me 7:3, për të përmbyllur pjesën e parë në favor të saj me 12:8. Pjesa e dytë mjaft interesante dhe përkrahje e madhe nga tifozët, kur Kosova shkëputët në 24:19, 25;21 dhe 27:22, për të fituar sfidën me rezultat përfundimtar 27:24. Hendbollistët më efikas në radhët e Kosovës ishin Valon Dedaj me 10 gola, Enis Kabashi (4) dhe Deniz Terziqi (4), ndërsa te izraelitët u dalluan Ezra Hamami (6) dhe Chen Pomerantz (5).

E nisin me fitore

Juniorët e Kosovës (U-21) në hendboll, e kanë nisur me fitore turneun kualifikues për Kampionatin Botëror, “IHF TROPHY Continental” që po zhvillohet në Prishtinë. Hendbollistët kosovarë kanë triumfuar pa ndonjë problem të madh, ndaj Taipeit Kinez, me rezultat 31:23. Që nga fillimi, hendbollistët e Kosovës ishin më të mirë dhe asnjëherë nuk e lejuan kundërshtarin që të kalojë në epërsi, pavarësisht lojës shumë të papërshtatshme të kinezëve. Me kundërsulme të shpejta dhe mbrojtje të fortë, kosovarët filluan të shkëputen në rezultat dhe pjesën e parë e mbyllën në favor, 16:10. Pjesën e dytë, hendbollistët e Kosovës e nisën furishëm dhe arritën që brenda 10 minutave të shtojnë epërsinë deri në plus 11 gola. Epërsinë e krijuar, Kosova arriti ta ruajë deri në fund, përballë kinezëve të cilët edhe pse luanin një lojë më ndryshe nga stili evropian, nuk arritën që të befasonin Kosovën.

Me nga 7 gola, Drenit Tahir Uka dhe Jon Muqolli ishin më të mirët, ndërkaq u dalluan edhe Xhafolli e Shabani me nga 6, respektivisht 5 gola. Ndeshjen e radhës, Kosova e luan të premten kundër Nigerisë. Përzgjedhësi, Fatmir Muhaxheri është shprehur i kënaqur me fitoren. “E kam thënë edhe më herët që Taipei Kinez ka një sistem ndryshe të lojës, sistem që nuk aplikohet në Evropë. Sidoqoftë, djemtë e dhanë maksimumin dhe arritëm të shënojmë fitore, por besoj se ne mund të luajmë edhe më mirë”, ka thënë Muhaxheri pas ndeshjes.

Sot, Kosova U-19 në aksion

Ndërkohë, Kosova U-19 është në Grupin B së bashku me Kanadanë e Zelandën e Re. Në Grupin A janë Nigeria, Paraguai e Taipei Kinez. Dy ndeshjet e së mërkurës luhen në palestrën “1 Tetori”. Takohen: Zelanda e Re - Kanada (14:00) e Taipei Kinez - Nigeria (17:00). Prej së enjtes ndeshjet luhen në Pallatin e Rinisë dhe të Sportit, ku luajnë Paraguai - Taipei Kinez (13:00) e Kosova - Zelanda e Re (19:00). Të premten luhen dy ndeshje tjera: Nigeria - Paraguai (13:00), Kanada - Kosova (17:00). Të shtunën janë gjysmëfinalet e të dielën finalja dhe ndeshja për vend të tretë.

(Kosova Sot)