Sezoni përfundon për Costën, i shqiptohet dënim i ashpër për ofendimet ndaj gjyqtarit

  • 11 April 2019 - 13:09
Sezoni përfundon për Costën, i shqiptohet dënim i ashpër për ofendimet ndaj gjyqtarit

Diego Costa do ta humbë të gjithë pjesën e mbetur të këtij sezoni për shkak se u ndëshkua me tetë ndeshje pezullim, si pasojë e ofendimeve që ia bëri gjyqtarit në ndeshjen kundër Barcelonës.

Federata e Futbollit të Spanjës ka vendosur ta suspendojë Costën për katër ndeshje për ofendimet ndaj gjyqtarit, ndërsa katër ndeshjes të tjera për shkak që e kishte kapur dorën e gjyqtarit.

Pasi që deri në fund të sezonit kanë mbetur vetëm edhe shtatë ndeshje, Costa do të mungojë për të gjithë sezonin, si dhe ndeshjen e parë të sezonit të ardhshëm.

Gjyqtari Jesus Gil Manzano i kishte zbuluar në raportin e tij pas ndeshjes mes Barcelonës dhe Atletico Madridit fjalët ofenduese që Diego Costa ia kishte thënë atij, pas të cilave sulmuesi spanjoll u përjashtua me karton të kuq.

Sulmuesi i Atletico Madridit u përjashtua pas vetëm gjysmë ore lojë në humbjen 2:0 kundër Barcelonës të shtunën në Camp Nou, pasi e ofendoi gjyqtarin duke mos u pajtuar me një vendim të tij.

“Ta dhj*s atë nënë k**vë, ta dhj*s atë nënë k**vë”, i kishte thënë Costa gjyqtarit Jesus Gil Manzano, sipas raportit të këtij të fundit.

Gil Manzano shpjegoi më tej në raportin e tij se protestat e Costas nuk ishin ndalur as pas kartonit të kuq.

“Pasi u përjashtua, sa ishte akoma në fushë, ai më kapi për dore në mënyrë që të mos më lejonte t’i ndëshkoja bashkëlojtarët e tij me numër 2 dhe 24 respektivisht”, thuhet në raportin e gjyqtarit.

Mirëpo, Atletico Madridi pretendonte se raporti i Manzano nuk është plotësisht i saktë. Costa pretendon se gjyqtari e kishte keqkuptuar pasi që ai nuk e kishte ofenduar nënën e tij, por të veten. 

(Kosova Sot)