Mesfushori i Real Madridit: Pogba është i mirëseardhur

  • 11 April 2019 - 15:06
Mesfushori i Real Madridit: Pogba është i mirëseardhur

Mesfushori i Real Madridit Casemiro i ka nxitur edhe më shumë spekulimet për transferimin e mundshëm të Paul Pogbës në Real Madrid gjatë afatit kalimtar të verës me deklaratën e tij të fundit.

Mesfushori brazilian, Casemiro, tha se Paul Pogba i Manchester Unitedit është i mirëseardhur në Real Madrid, kur u pyet për spekulimet e fundit që mesfushori francez dëshiron të transferohet në Madrid gjatë verës.

“Ai është lojtar i klasit botëror dhe mund të luajë në cilido klub. Nëse vjen në Madrid, do të jetë shumë i mirëpritur. Ne e dimë që ai është lojtar i mrekullueshëm”, ka thënë Casemiro.

“Sigurisht, ai është menduar për ndeshjet e radhës të Ligës së Kampionëve, ky është lloji i lojtarit që ai është. Ne duhet ta respektojmë Man Unitedit, gjithashtu”.

Gjatë kohës kur ishte me ekipin kombëtar të Francës, Paul Pogba tha se është një ëndërr të luash për Zinedine Zidane. Pastaj, trajneri i Real Madridit e zbuloi dashurinë e tij për mesfushorin e Manchester Unitedit në një konferencë për shtyp.

Këto deklarata i kishin nxitur edhe më shumë fjalët për një transferim të mundshëm të francezit në Santiago Bernabeu. Mirëpo, agjenti Mino Raiola i ka kërkuar Real Madridit që përveç shumës që do t’ia paguajnë Manchester Unitedit dhe pagës së lojtarit, ta paguajnë edhe Raiolan 18 milionë euro.

Pogba e dëshiron transferimin në Real Madrid, por është i gatshëm ta marrë këtë hap në karrierën e tij vetëm nëse klubi madrilen pranon ta bëjë francezin futbollistin më të paguar në skuadër, me pagë prej 16 milionë eurove në vit.

Pogba e kishte refuzuar një ofertë nga Real Madridi në vitin 2016, kur vendosi që të kthehet në Old Trafford nga Juventusi, për një shumë që atëherë e bëri francezin lojtarin më të shtrenjtë në botë, 105 milionë euro.

Revista franceze, France Football, raporton se përkundër që Pogbës i pëlqen të luajë nën drejtimin e Ole Gunnar Solskjaerit, Real Madridi nuk i është larguar nga mendja, pasi që beson se ky transferim do t’ia rriste gjasat për ta fituar Topin e Artë.

France Football vazhdon duke shkruar se 26-vjeçari beson se është në moshën e përsosur për t’u transferuar në Real Madrid e madje as qëllimi i trajneri Solskjaer për ta ndërtuar skuadrën e Manchester Unitedit rreth tij nuk ia ka ndryshuar mendjen për këtë gjë.

Manchester Unitedi nuk është më forca dominuese që kishte qenë më parë në Angli dhe Pogba nuk është i gatshëm të presë për t’u kthyer edhe një herë ajo kohë.

Pogba i ka shënuar 11 gola dhe i ka asistuar nëntë të tjera në 29 paraqitjet e tij në këtë sezon të Premierligës me Manchester Unitedin, që është në pozitën e gjashtë me tri pikë më pak se Arsenali në vend të tretë.

(Kosova Sot)