McGregor e zbulon arsyen pse humbi Khabibit

  • 12 April 2019 - 11:01
McGregor e zbulon arsyen pse humbi Khabibit

Conor McGregor pretendon se e kishte thyer këmbën e tij pak para se ta zhvillonte meçin e UFC-së kundër Khabib Nurmagomedovit, në tetor të vitit të kaluar.

Pas 693 ditëve pushim, Conor McGregor u dorëzua në rundin e katërt të meçit kundër kampionit të peshave të lehta në artet e përziera marciale. Kjo ishte disfata e dytë në karrierë për të. Edhe të parën e kishte humbur pasi ishte dorëzuar.

McGregor e pati shumë të vështirë këtë meç e madje dhe u rrëzua në tokë nga një goditje e luftëtarit rus, i cili nuk është aspak i famshëm për aftësinë e tij për të goditur.

Por tani, disa muaj pas meçit, McGregor pretendon se një lëndim që pretendon se e pësoi vetëm tri javë para meçit ishte arsyeja pse ai nuk pati mundësi të paraqitej më mirë kundër Khabibit.

Këtë deklaratë, McGregor e bëri në rrjetin social Twitter, ku e komentoi edhe përleshjen që ndodhi pas meçit.

“E kisha thyer këmbën time vetëm tri javë më parë. Megjithatë, unë vazhdova përpara dhe i bëra goditjet e fundit të natës. Ndaj kushëririt të tij. Jam i lumtur me mënyrën se si shkoi gara dhe mësimet që i morra”, shkroi McGregor.

Super ylli i UFC-së, i cili është ende duke e vuajtur pezullimin për gjashtë muaj për shkak të pjesëmarrjes në përleshjen që ndodhi pas meçit me Khabib Nurmagomedovin, së fundi e ka zyrtarizuar edhe pensionimin e tij. 

(Kosova Sot)