Barcelona, e pamposhtur në Evropë

  • 12 April 2019 - 11:32
Barcelona, e pamposhtur në Evropë

Barcelona është kthyer në Katalonjë pas fitores si mysafir me rezultat 1:0 ndaj Manchester Unitedit, duke e vazhduar kështu ecurinë mbresëlënëse të ndeshjeve pa pësuar disfatë në Ligën e Kampionëve.

Autogoli i Luke Shaw e bëri diferencën mes Manchester Unitedit dhe Barcelonës në mbrëmjen e së mërkurës. Fitorja, edhe pse me epërsi minimale, bën që katalonasit ta kenë një epërsi të mirë para ndeshjes kthyese, e cila do të zhvillohet javën tjetër, në Camp Nou.

Ndërsa, Barcelona mbetet e vetmja skuadër në Ligën e Kampionëve që ende nuk e ka provuar shijen e hidhur të disfatës gjatë këtij sezoni.

Në nëntë ndeshjet e zhvilluara deri më tani, “Blaugranët” ende nuk janë mposhtur nga asnjë kundërshtar, pjesërisht falë qasjes konservative të trajnerit Ernesto Valverde ndaj kësaj gare.

Dështimi kundër Romës në sezonin 2017/18 duket se ia ka dhënë një mësim të mirë ish-trajnerit të Athletic Club. Ajo disfatë ka ndikuar që Valverde t’i ketë më të qarta taktikat që duhet t’i përdorë.

Nga këto nëntë ndeshje, Barcelona i ka barazuar tri dhe tani janë në rrugë të mirë për ta fituar titullin e kësaj gare prestigjioze të Evropës për herë të parë që nga viti 2015.

Një statistikë interesante është që Ajaxi është klubi me rekordin e dytë më të mirë në këtë edicion të Ligës së Kampionëve, me vetëm një disfatë nga nëntë ndeshjet e zhvilluara.

(Kosova Sot)