Donnarumma s’do të luajë kundër Lazios

  • 12 April 2019 - 11:33
Donnarumma s’do të luajë kundër Lazios

Portieri i Milanit, Gianluigi Donnarumma, nuk pritet të rikuperohet në kohë për ndeshjen e kuqezinjve kundër Lazios, e cila do të zhvillohet këtë të shtunë.

Milani do të presë Lazion në shtëpi, stadiumin “San Siro”, të shtunën në orën 20:30. Kjo ndeshje do të jetë e vlefshme për xhiron e 32-të në kuadër të Serisë A.

Gianluigi Donnarumma i është kthyer stërvitjeve me Milanin, pasi ishte lënduar në ndeshjen kundër Udineses. Ai nuk kishte mundur të ecte mirë për shkak të problemeve muskulore në këmbë.

Megjithatë, në ditën e dytë të stërvitjeve, ai nuk mori pjesë në stërvitjet me pjesën tjetër të skuadrës së Milanit, por ushtroi ndaras.

Në mënyrë që të mos ia përkeqësojnë gjendjen portierit italian, Milani ka vendosur që Donnarumma të kthehet dalëngadalë në skuadër. Deri sa të shërohet plotësisht, pozitën e portierit do ta mbajë Pepe Reina.

Ndeshja mes Milanit dhe Lazios është shumë e rëndësishme për të dy skuadrat, pasi që është luftë për vendin e katërt në tabelën e Serisë A, e cila e siguron edhe kualifikimin në sezonin e ardhshëm të Ligës së Kampionëve.

(Kosova Sot)