Arsenali fillon hetimet për thirrjet raciste ndaj Koulibalys

  • 12 April 2019 - 14:48
Arsenali fillon hetimet për thirrjet raciste ndaj Koulibalys

Arsenali ka bërë të ditur se çdo tifoz që kapet duke bërë thirrje raciste nuk është i mirëpritur në stadiumin Emirates dhe do të jetë i pezulluar nga ndeshjet e tjera të klubit londinez.

Arsenali i ka filluar hetimet për një video që u shfaq në rrjetet sociale, ku shihet një tifoz i Arsenalit duke bërë thirrje raciste në drejtim të mbrojtësit të Napolit, Kalidou Koulibalys, në ndeshjen e mbrëmshme çerekfinale të Europa League.

Incidenti ndodhi gjatë fitoren 2:0 të klubit londinez, në një moment kur Koulibaly e kishte larguar nga zona e rrezikut një top që ishte harkuar nga Lucas Torreira.

Për momentin, Arsenali është duke tentuar ta identifikojë personin e shfaqur në videon 15-sekondëshe dhe thonë se kushdo që kapet duke përdorur gjuhë të urrejtjes do të pezullohet nga ndeshjet dhe ata nuk janë të mirëpritur në klub.

“Ne e kundërshtojmë fuqishëm përdorimin e gjuhës raciste dhe e kemi filluar një hetim për ta identifikuar personin në fjalë. Nuk kemi aspak tolerancë për këtë gjë dhe kushdo që kapet duke bërë gjëra të tilla nuk është i mirëpritur në klub dhe do të pezullohet për katër ndeshje”, shkruhet në deklaratën e lëshuar nga Arsenali. 

(Kosova Sot)