Solskjaer: Lëndimi i Herrerës mund të jetë i lidhur me të ardhmen e tij në klub

  • 12 April 2019 - 15:09
Solskjaer: Lëndimi i Herrerës mund të jetë i lidhur me të ardhmen e tij në klub

Mesfushori i Manchester Unitedi e pësoi një lëndim gjatë një seance stërvitore me klubin. Trajneri e ka pranuar se ky lëndim mund të jetë i lidhur me paqartësitë e spanjollit për të ardhmen e tij në klub.

Ole Gunnar Solskjaer e ka konfirmuar se Ander Herrera do të mungojë në ndeshjen e së shtunës kundër West Hamit, për shkak të një lëndimi që e pësoi gjatë një seance stërvitore.

Herrera besohet se është afër arritjes së një marrëveshjeje me Paris Saint-Germainin për t’u transferuar gjatë afatit kalimtar të verës, kur edhe i përfundon kontrata me klubin anglez.

Mediat angleze kanë raportuar se Manchester Unitedi i ka ofruar Herrerës kontratë të re, mirëpo ai nuk ka pranuar deri më tani pasi që kërkon pagë më të lartë, të të njëjtit nivel që po ia ofron edhe PSG-ja.

“Ndoshta e ardhmja po e shqetëson atë dhe ndoshta kjo është një pjesë e arsyes pse ai u lëndua sërish. Kush e di?! Ai s’e di pse është lënduar”, ka thënë Solskjaer.

“E gjitha që unë e di është që ai ka qenë duke punuar shumë që të rikuperohet nga lëndimi që e mori në ndeshjen kundër Liverpoolin. Nuk mund të komentoj se deri ku kemi arritur në bisedimet për rinovimin e kontratës sepse jemi të përqendruar te gjendja e tij”.

“Për momentin ai nuk është i lumtur sepse e di që nuk mund t’u ndihmojë bashkëlojtarëve. Atij i pëlqen shumë të luajë, ai do ta jepte gjithmonë maksimumin, pavarësisht a i ka edhe pesë javë apo pesë vjet të mbetura në kontratë”.

“Nuk do ta kisha problem ta inkuadroja atë sidoqoftë, por ai nuk është gati për ndeshjen kundër West Hamit, shpresoj se do ta shohim kundër Manchester Cityt apo Chelseat”. 

(Kosova Sot)