Përfundon sezoni për Valon Berishën?

  • 12 April 2019 - 20:26
Përfundon sezoni për Valon Berishën?

Bëri hapin e madh në karrierë duke u transferuar nga Salzburgu te Lazio, por ky sezon ka qenë krejtësisht për t’u harruar për mesfushorin e Kombëtares së Kosovës, Valon Berisha.

Dëmtimet e njëpasnjëshme nuk e kanë lejuar të përshtatet si duhet me futbollin italian dhe mesfushori 26-vjeçar nuk është shndërruar dot në një zgjedhje të parë për trajnerin Simone Inzaghi.

Vetëm 14 paraqitje numëron Berisha me Lazion në të gjitha kompeticionet teksa 4 sfida i ka nisur si titullar dhe 10 nga stoli ndërkohë që nuk ka mundur të gjejë dot rrugën e rrjetës.

Fati i keq nuk ka fund për Berishën në këtë sezon i cili pas sfidës ndaj Spal edhe pse nuk ka zbritur në fushë ka pësuar një dëmtim serioz që mund ta detyrojë të mbyllë përpara kohe këtë sezon të vështirë.

Berisha rrezikon t’i nënshtrohet një operacioni në gju dhe nëse kjo ndodh atëherë ai duhet të fillojë që tani fazën e rehabilitimit për të qenë gati për sezonin e ardhshëm.

Gjithsesi në kampin lacian nuk i kanë humbur shpresat dhe kanë bindjen se edhe me Berishën do të ndodhë e njëjta gjë si me Luis Alberton, pra do të shpërthejë në sezonin e tij të dytë.

(Kosova Sot)