Javë që mund të sjellë shumë befasi

  • 13 April 2019 - 09:30
Javë që mund të sjellë shumë befasi

Ndeshja më e nxehtë është ajo për ekzistencë ndërmjet Flamurtarit e Lirisë

Forma shumë e mirë e Feronikelit dhe Prishtinës bën të besohet se ato këtë vikend kanë punë të lehtë dhe vetëm ndonjë mrekulli do të bënte që këto dy skuadra të humbasin pikë këtë javë, kjo edhe bën që e gjithë vëmendja të jetë te ndeshja Llapi - Gjilani

J ava e 27-të e Ipko Superligës së Kosovës në futboll, e cila zhvillohet këtë vikend mund të ofrojë një pasqyrë reale se si mund të duket vazhdimi i kampionatit. Gjithsesi, bazuar në formën e skuadrave, është vështirë të besohet se lufta për titull mund të sqarohet këtë vikend, kjo edhe për arsye se Feronikeli e Prishtina si dy skuadrat kryesore për këtë trofe, nuk besohet se mund të gabojnë pasi përveçqë luajnë në fushën e vet, edhe kundërshtarët nuk janë të atij niveli sa mund t'u marrin pikë. Gjithsesi, ndeshja kryesore vlerësohet ajo ndërmjet Llapit e Gjilanit që luhet në Podujevë. Ndeshje joshëse priten tek ato skuadrat që po luftojnë për ekzistencë e ku me vëmendje do të përcillet edhe përballja ndërmjet Flamurtarit e Lirisë, dy skuadra këto që po luftojnë për t'i ikur rënies direkt nga Liga. Ndeshje shumë e fortë pritet edhe ajo ndërmjet Dritës e Drenicës, e cila zhvillohet në Gjilan ditën e diel. 

Lehtë për "Niklin" e Prishtinën Forma shumë e mirë e liderit, Feronikelit, dhe të dytit në tabelë, Prishtinës, bën të besohet se ato këtë vikend kanë punë të lehtë dhe vetëm ndonjë mrekulli do të bënte që këto dy skuadra të humbasin pikë. Feronikeli para tifozëve të vet e pret Ferizajn, skuadër kjo që po lufton për t'i ikur rënies direkt nga liga dhe duke e parë potencialin e këtyre dy skuadrave, atëherë "Nikli" cilësohet favorit absolut. Gjithsesi, futbolli jo rrallë di të sjellë befasi, kështu që djelmoshat e trajnerit Zekerija Ramadani assesi nuk duhet ta marrin këtë ndeshje si punë të kryer, ndryshe mund t'ju kushtojë shtrenjtë. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për Prishtinën, mirëpo për dallim nga Feronikeli, bardhekaltrit kanë për kundërshtar një rival që tashmë ka rënë nga liga, KEK-un. Sfida tjetër e ditës së shtunë është ajo ndërmjet Llapit dhe Gjilanit. Llapi assesi nuk guxon të dështojë nëse dëshiron ta ëndërrojë titullin, derisa Gjilani po lufton për pikë në mënyrë që t'i ikë zonës së rrezikshme dhe kjo është arsyeja të besohet se përballja Llapi - Gjilani është sfida kryesore e ditës së shtunë. Luftohet për mbijetesë Pa dyshim njëra nga ndeshjet më të nxehta në këtë vikend vlerësohet ajo ndërmjet Flamurtarit e Lirisë, dy skuadra këto që po luftojnë për mbijetesë.

Nëse skuadra e Flamurtarit shënon fitore atëherë përfundimisht do ta siguronte barazhin dhe në ndeshjet e radhës do të luftonte për t'i ikur edhe barazhit. Në anën tjetër Liria me humbje do të bënte një hap tejet të rrezikshëm në luftë për mbijetesë.

Kjo edhe është arsye të pritet një ndeshje e nxehtë dhe e luftuar shumë nga të dyja skuadrat. Sfida e fundit e ditës së diel e cila edhe e mbyll javën e 27-të, është ajo ndërmjet Dritës e Drenicës. Skuadra e Dritës është favorite e madhe, por Drenica shpesh di t'i befasojë ekipet e mëdha, kështu që skuadra nga Skenderaj drejt Gjilanit udhëton me synime të marrë pikë dhe në këtë mënyrë të stabilizohet në mesin e tabelës

(Kosova Sot)