Gabon Feronikeli, barazohet me pikë me Prishtinën

  • 13 April 2019 - 17:49
Gabon Feronikeli, barazohet me pikë me Prishtinën

Sot janë zhvilluar tri ndeshje në kuadër të javës së 27-të të IPKO Superligës së Kosovës, ku luajtën tri klubet në garë për titullin e kampionit – Feronikeli, Prishtina e Llapi.

Feronikeli pësoi disfatë ndaj Ferizajt dhe nga ky gabim i liderit përfituan Prishtina e Llapi, të cilët triumfuan në ndeshjet e tyre. Tani, kryeqytetasit janë me baras pikë me Feronikelin, ndërsa Llapi vetëm dy pikë prapa, me gjashtë xhiro të mbetura deri në fund.

Llapi 2:1 Gjilani

Fillimisht, në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë, Llapi  siguroi fitore me rezultat 2:1 ndaj Gjilanit. Vendasit kaluan në epërsi fillimisht përmes golit të shënuar në minutën e 21-të nga Mentor Zhdrella.

Pjesa e dytë nuk filloi aq mirë për klubin nga Podujeva, pasi që Gjilani shënoi në minutën e 52-të përmes Endrien Magani, Por, 14 minuta para kohës së rregullt, Valmir Veliu e ktheu epërsinë e Llapit dhe ia siguroi skuadrës së vet tri pikë të rëndësishme.

Prishtina 1:0 KEK-u

Në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, klubi vendas siguron fitore me epërsi minimale 1:0 ndaj klubi të fundit në tabelën e Superligës së Kosovës, KEK-ut. Golin e vetëm të ndeshjes e shënoi Lorik Boshnjaku në minutën e 36-të.

Feronikeli 1:2 Ferizaj

Feronikeli i humbi tri pikë të rëndësishme në ndeshjen kundër Ferizajt, e cila u zhvillua në stadiumin “Rexhep Rexhepi” në Drenas dhe përfundoi me rezultat 1:2.

Pjesa e parë u mbyll me rezultat më të mirë për liderin e Superligës, të cilët kishin kaluar në epërsi përmes golit të shënuar nga Arbër Prekazi në minutën e 41-të të ndeshjes. Mirëpo, 12 minuta para fundit, Ermal Krasniqi e shënoi golin e barazimit për Ferizajn dhe pastaj shënoi sërish në minutat shtesë.

(Kosova Sot)