Shpërthen Igli Tare: Ishte histori e një vdekjeje të paralajmëruar

  • 14 April 2019 - 08:34
Shpërthen Igli Tare: Ishte histori e një vdekjeje të paralajmëruar

Igli Tare nuk është përmbajtur nga kritikat ndaj gjyqtarit pas humbjes së Lazios 1:0 ndaj Milanit në një ndeshje direkte mes tyre për një vend në Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm.

Milani e mundi Lazion 1:0 në San Siro të shtunën falë një penalltie, duke u kthyer në pozitën e katërt në Serie A, derisa Lazio tani renditet e teta më gjashtë pikë më pak se kuqezinjtë, që megjithatë kanë zhvilluar një ndeshje më shumë deri tani.

“Ka qenë historia e një vdekjeje të paralajmëruar. Ka ndodhur ajo që kishim frikë para ndeshjes. Na vjen keq që do të kthehemi në shtëpi pa pikë pasi kemi bërë një ndeshje të madhe. Meritonim që ndeshja të vendosej nga fusha dhe nga gjyqtari”, ka thënë Tare.   

Tare u ankua se përveç se Milani mori, siç thotë, penallti të pa qenë, Lazios iu mohua një e tillë në fund të takimit.

“Penalltia ndaj Milinkovic-Savic? Flas vetëm për shpejtësinë me të cilën Rocchi ka dhënë penalltinë e parë për Milan-in. Dukej nga njëmijë metra se nuk kishte asgjë. Në rastin e penalltisë së dytë, Musacchio bie në tokë sikur ta kishin qëlluar dhe më pas na mungon penalltia për faullin ndaj Milinkovic-Savic”. 

“Ata që kanë luajtur futboll e dinë se të paktën një dyshim për ta rishikuar aksionin, gjyqtari duhet ta ketë. Nuk më pëlqen të bëj rolin e viktimës, por gjëra të tilla nuk i meritojmë. Do të kërkojmë hakmarrje në gjysmëfinalen e Kupës së Italisë”. 

(Kosova Sot)