Sporti i Kosovës, pasuri evropiane e botërore

  • 14 April 2019 - 09:04
Sporti i Kosovës, pasuri evropiane e botërore

Futbolli, basketbolli, hendbolli e volejbolli pritet të ‘pushtojnë’ arenën evropiane

“Pas njëzet vjetësh, kemi nisur shkallë-shkallë ta marrim veten dhe të rikthehemi ngadalë, por sigurt aty ku e kemi vendin. Dhe, e meritojmë ta kemi. Po e them pa modesti, sporti i Kosovës është pasuri e pakontestueshme kombëtare e shtetërore, por është njësoj edhe pasuri evropiane e botërore”, është shprehur Xhavit Kajtazi për gazetën “Kosova Sot”

Në vitet e fundit, sporti i Kosovës është karakterizuar me suksese në arenën ndërkombëtare, sidomos në ato individuale. Xhudoja ka qenë gjithmonë e para dhe pa konkurrencë, duke i sjellë Kosovës shumë medalje elitare apo edhe sukseset më të mëdha. Karate e boksi ishin sportet e tjera që sollën medalje nga arena ndërkombëtare. Por, kohët e fundit edhe sportet kolektive kanë qenë shumë të suksesshme në arenën ndërkombëtare. Kosova në futboll ishte e para në grupin e saj në Ligën e Kombeve, derisa vazhdoi me lojë të mirë edhe ndaj Danimarkës dhe Bullgarisë. Basketbollistët e Z Mobile Prishtina arritën në top-16 të FIBA Europe Cup, kurse edhe grupmoshat e volejbollit po premtojnë shumë për të ardhmen. Së fundi, Kosova në hendboll mundi Izraelin, duke dëshmuar potencialin dhe rritjen në vitet e fundit.

Rritja e formës

Gazetari shumëvjeçar i sportit vendor, Xhavit Kajtazi, ka thënë se edhe sportet grupore po shkëlqejnë në arenën ndërkombëtare. “Jo më larg se dy javë më parë e kemi dhënë një vlerësim të qartë, duke parashikuar se nuk do të kalojë kohë e gjatë dhe suksesit të xhudos, karatesë dhe boksit shumë shpejtë do t’i bashkëngjiten edhe rezultatet e mira në futboll, hendboll dhe në volejboll. Kjo dëshirë jona, pra edhe parashikimi, më shpejtë seç kemi pritur u bënë realitet.

Hendbollistët e kombëtares së Kosovës në kualifikueset për Evropian mundën Izraelin, ndërkohë që kësaj udhe shkuan edhe njomakët e grupmoshave, që po ashtu shënuan fitoret e para dhe dhanë sinjalin se ky vit dhe të tjerët që po vijnë, do të kalojnë në shenjë të rritjes së rendimentit të cilësisë së hendbollit, që dikur, jo vetëm se e kishte, por ishte konkurrues edhe në nivel evropian e botëror”, është shprehur Xhavit Kajtazi për gazetën “Kosova Sot”.

Sporte me traditë në Kosovë

Por, ky sukses nuk është i rastësishëm, sepse Kosova ka traditë në këto sporte. “Ish-Borci i Ferizajt - tash Kastrioti, Trepça e Mitrovicës, Bozhuri i Gjilanit, Vëllaznimi i Gjakovës, Kosova e Vushtrrisë, shkonin krahas shumë skuadrave të sh-Jugosllavisë, e që bënin gara në një ligë e cila hiqej ndër më të fortat në botë, pse jo edhe më e forta. Këtë vazhdimësi e ndërpreu periudha e pushtimit serb të Kosovës, që i kushtoi shumë sportit tonë përgjithësisht. Dhe, ja, tash, pas njëzet vjetësh, kemi nisur shkallë-shkallë ta marrim veten dhe të rikthehemi ngadalë, por sigurt aty ku e kemi vendin. Dhe e meritojmë ta kemi. Po e them pa modesti, sporti i Kosovës është pasuri e pakontestueshme kombëtare e shtetërore, por është njësoj edhe pasuri evropiane e botërore”, ka shtuar tutje trajneri shumëvjeçar i volejbollit për gazetën “Kosova Sot”.

Sukses i merituar

I gjithë ky sukses nuk është i rastësishëm dhe i pamerituar. “Këtë udhë, e kemi thënë më herët, po e ndjek edhe futbolli që nga kombëtarja A e deri te ato të grupmoshave, sikundër që edhe volejbolli po i bën hapat e duhur sidomos me kombëtaret e grupmoshave të reja, që po na përfaqësojnë denjësisht në arenën ndërkombëtare. Kosova po prodhon talente, po prodhon edhe cilësi dhe rrjedhimisht edhe rezultate...

Ky ka mbetur satisfaksioni më i madh për ne si shtet me shumë telashe e vuajtje, që bashkë me kulturën po bëjmë “bum” në Botë dhe do të vazhdojmë të bëjmë, sepse ia kemi anën... Dhe, e meritojmë!... Evropa dhe Bota gjithandej, janë përplot me talente shqiptarë... Ata po vijnë... Ka ardhur koha...”, ka përfunduar Xhavit Kajtazi për gazetën “Kosova Sot”.

(Kosova Sot)