Real Madridi e zgjedh sulmuesin serb, nga i cili hoqi dorë Barcelona

  • 14 April 2019 - 13:52
Real Madridi e zgjedh sulmuesin serb, nga i cili hoqi dorë Barcelona

Luka Jovic është numri 9 i zgjedhur nga Real Madridi për ta përforcuar sulmin sezonin e ardhshëm, sipas të përditshmes spanjolle “Marca”.

Pas kërkimeve gjithëpërfshirëse në tregun e transferimeve për një sulmues të ri, drejtuesit e Real Madridit janë pajtuar ta bëjnë futbollistin serb prioritet kryesor për vijën e sulmit sezonin e ardhshëm.

Mosha e tij: 21 vjet, paraqitjet e tij: 25 gola deri tani këtë sezon dhe çmimi i tij: më gjasë do ta kapë shifrën 70 milionë euro, si dhe vullneti i tij për të kaluar në Bernabeu, e bëjnë Jovicin të jetë në krye të listës së Madridit.

Të enjten e kaluar, Real Madridi e dërgoi një skaut për ta vëzhguar Jovicin në ndeshjen e Eintracht Frankfurtit kundër Benficas në Evropa Ligë, në mënyrë që ai ta japë provimin përfundimtar për transferimin e tij.

Benfica ende mban kartonin e futbollistit serb, por Frankfurti e ka opsionin për ta blerë atë për 12 milionë euro në fund të sezonit, gjë që pritet ta bëjë për ta shitur për një çmim shumëfish më të lartë.

Ndërkohë, ditë më parë u raportua se Barcelona ka hequr dorë përfundimisht nga dëshira për ta transferuar serbin, të cilin e ka vëzhguar këtë sezon si zëvendësues të mundshëm të Luis Suarezit.

Me rivalin Barçën që ka hequr dorë përfundimisht, Reali do mund të përballet me konkurrencë për shërbimet e tij vetëm me Bayern Munich. 

(Kosova Sot)