Politikani italian shpërthen ndaj lojtarëve të Milanit: Jeni të pavlerë

  • 14 April 2019 - 15:13
Politikani italian shpërthen ndaj lojtarëve të Milanit: Jeni të pavlerë

Polemikat rreth incidentit pas ndeshjes mes Milanit edhe Lazios nuk kanë të ndalur. Tani, deputeti italian dhe sekretari i Këshillit të Ministrave të Italisë, Giancarlo Giorgetti, ka reaguar ashpër duke i quajtur të pavlerë për sportin dyshen e Milanit, Tiemoue Bakayoko dhe Franck Kessie.

Fitorja e Milanit 1:0 kundër Lazios u prish nga skena të shëmtuara në përfundim të takimit, pasi dyshja kuqezi Tiemoue Bakayoko dhe Franck Kessie festuan para tifozëve me fanellë të Francesco Acerbit të Lazios.

Për më tepër, kjo ndeshje e tensionuar shpërtheu në përleshje në fishkëllimën e fundit, me Luiz Felipe dhe Fabio Borini në qendër të saj, transmeton Gazeta Express. Pas kësaj, gjërat u bënë edhe më të nxehta, kur Bakayoko dhe Kessie pozuan me fanellën e Acerbit para tifozëve të Milanit.

Ata e shfaqen fanellën sikur të ishte trofe pas një grindje të mëhershme në rrjetet sociale, për shkak se Acerbi kishte thënë se Lazios ishte ekip më i mirë individualisht sesa Milani.

“Sporti është farë e shëndoshë dhe e ndershme”, tha Giorgetti, i cili është edhe nënsekretar i Sportit në Itali.

“Shfaqja e fanellës së një lojtari tjetër për ta tallur atë është në radhë të parë gjest prej budallai e po ashtu i padenjë dhe i pavlerë për sportin, si dhe i pavlerë për fanellën që ata e veshin. Shpresoj se do të ndërmerren veprime të duhura për këtë që ndodhi”, shtoi ai.

Pasi fotografia e festimit të dyshes së Milanit u bë hit, Acerbi u rikthye në rrjetet sociale dhe iu adresua kësaj çështjeje.

“Jam i zhgënjyer sepse i shkëmbeva fanellat për t’i dhënë fund kësaj çështje. Të nxitesh urrejtje nuk është sport, por shenj ligësie”, shkroi ai.

Dyshja kuqezi Bakayoko dhe Kessie kërkuan falje duke thënë se e kishin bërë atë gjest në shenjë shakaje por jo për ta ofenduar ndonjëri.

Edhe trajneri i Milanit, Gennaro Gattuso, kërkoi falje duke thënë se futbollistët e tij do të bëjë një orë stërvitje më shumë në vend se të qëndrojnë në rrjetet sociale, duke u bërë thirrje edhe klubeve të tjera t’ia kufizojnë futbollistëve të tyre përdorimin e rrjeteve sociale. 

(Kosova Sot)