Mbahet turne përkujtimor për nder të futbollistit të ndjerë Laurant Kadriu

  • 14 April 2019 - 20:47
Mbahet turne përkujtimor për nder të futbollistit të ndjerë Laurant Kadriu

Ish-kapiteni i të rinjve të KF Hajvalia, Laurant Kadriu, i cili ndërroi jetë në moshë të re, tronditi Kosovën.

Edhe pse ëndrra e tij ishte që të jetë pjesë e arenave sportive ndërkombëtare, sëmundja s’e la ta realizonte atë, duke i marrë jetën në moshën 15-vjeçare.

Kadriu ishte një lojtar shumë i mirë, kishte disiplinë, potencial dhe ishte shumë luftarak në arritjen e suksesit që e kishte ëndërruar gjithmonë, kujtojnë shokët dhe bashkëlojtarët e tij.

Sot, në 6 mujorin e vdekjes së Kadriut, Naser Gashi nga shkolla e futbollit “Shkëndija”, me bashkëpunëtorë, e organizuan një turne përkujtimor në futboll të vogël, për nder të futbollistit të ndjerë të KF Hajvalisë.

Turneu u mbajt në oborrin e shkollës fillore “Shkëndija”, në Hajvali – dhe për mbarëvajtjen e tij u kujdesen Gashi nga shkolla e futbollit, dhe imami i Hajvalisë, Xheladin Fazliu.

Aty patën rastin të marrin pjesë shumë ekipe, duke bërë një turne të veçantë e madhështor. Pjesëmarrëse ishin 24 ekipe.

Turneun përkujtimor, me praninë e tij, e nderoi edhe drejtori për Sport në Komunën e Prishtinës, Fitim Rexha.

Në një nga ekipet, me emrin “Gëzimi”, bënte pjesë edhe deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arban Abrashi.

(Kosova Sot)