De Gea: Duhet të përmirësohemi për ta mundur Barcelonën

  • 15 April 2019 - 09:46
De Gea: Duhet të përmirësohemi për ta mundur Barcelonën

Portieri i Manchester Unitedit, David de Gea, i ka paralajmëruar bashkëlojtarët e vet se ata duhet të përmirësohen dukshëm për ta mposhtur Barcelonën në Ligën e Kampionëve.

Unitedi e viziton të martën Barcelonën për ndeshjen e kthimit çerekfinale në Ligën e Kampionëve – me rezultatin në favor të katalonasve që triumfuan 1:0 në Old Trafford para një jave.

Unitedi i Ole Gunnar Solskjaer regjistroi një fitore tejet të rëndësishme ndaj West Hamit në Premierligë – pasi i kishte humbur katër nga pesë ndeshjet e fundit para kësaj ndeshjeje – por vetëm falë dy golave nga penalltitë të Paul Pogbas.

Tani, De Gea u ka bërë thirrje bashkëlojtarëve për përmirësimin në Camp Nou, të cilët në ndeshjen e parë në Old Trafford dështuan ta gjuanin qoftë edhe një goditje në kornizën e portës së Barçës.

“Natyrisht se është e vështirë, por nëse dëshiron të jesh top ekip, duhet të luash ndeshje të mëdha në Ligën e Kampionëve”, tha De Gea.

“Duhet të jemi të përqendruar për një ndeshje të vështirë përsëri. Mendoj se nuk luajtëm mirë ndaj West Hamit, duhet të përmirësohemi shumë sepse kemi një sfidë të madhe të martën”, shtoi ai. 

(Kosova Sot)