NBA: Antetokounmpo dhe Harden shkëlqejnë në sfidat e para play-off

  • 15 April 2019 - 12:08
NBA: Antetokounmpo dhe Harden shkëlqejnë në sfidat e para play-off

Në NBA ka nisur prej disa ditësh faza play off, ndërsa radhën për të zbritur në parket e kishte skuadra më e mirë e sezonit të rregullt, Milwaukee Bucks, që priste në “Fiserv Forum” të Milwaukee-t Detroit Pistons.

Përballja e parë e vendit të parë të Lindjes me të tetin nuk pati histori. Bucks triumfuan lehtësisht me diferencë të madhe pikësh 121-86, duke u treguar “dhëmbët” që në fillim kundërshtarëve. Që në perdiodën e parë u regjistrua një diferencë e frikshme prej 20 pikësh, me një rezultat të pjesshëm 38-18. Hendeku u thellua në 27 pikë në fund të pjesës së parë, 70-43, çka u dha mundësi vendësve ta ulnin disi ritmin për të mos shpenzuar energji të kota.

E kush tjetër veç Gianis Antetokounmpo do të kishte statistikat më të mira të sfidës! Basketbollisti grek realizoi 24 pikë, dha 4 asiste dhe kontrolloi plot 17 topa poshtë koshit. Takimi i radhës do të zhvillohet pas tre ditësh po në “Fiserv Forum” të Milwaukee-t.

Fitore thjeshtë edhe për Houston Rockets 122-90 ndaj Utah Jazz. Skenën në “Toyota Center” e rrëmbeu “ylli” i vendësve, James Harden, që iu afrua shumë “triple-double” me 29 pikë, 10 asiste dhe 8 “rebound”.

Paraqitje e mirë edhe e Rudy Gobert, por 22 pikët dhe 12 rikuerimet e francezit ishin shumë pak për të përballuar furinë e Rockets. Edhe takimi i radhës i këtij dueli do të zhvillohen po në parketin e skuadrës teksane, që ka shansit ta çojë në 2-0 serinë e përballjeve.

Shfrytëzojnë faktorin fushë Portland Trail Blazers, që iu imponuan 104-99 Oklahoma City Tunder. Shkëlqeu për vendasit Damian Lillard me 30 pikë, duke fituar sfidën brenda sfidës mes Paul George, që realizoi 26 pikë e kontrolloi 10 topa poshtë koshit.

Një ndeshje pa shumë ritëm ajo mes Boston Celtics dhe Indiana Pacers që u mbyll me suksesin e vendasve 84-74. Për Celtics më të mirët rezultuan Irving e Morris që realizuan nga 20 pikë, ndërsa për Pacers çuditërisht shënuesi më i mirë ishte Joseph me vetëm 14 pikë. 

(Kosova Sot)