Në një kohë krize për trajnerët që të gjejnë punë, Tovërlani refuzon oferta!

  • 15 April 2019 - 14:16
Në një kohë krize për trajnerët që të gjejnë punë, Tovërlani refuzon oferta!

Në Kosovë ka pak klube në krahasim me numrin e madh të trajnerëve. Për këta të fundit krizë shtesë paraqet ardhja në Kosovë e trajnerëve nga shtetet tjera. Por, Afrim Tovërlani po merr vazhdimisht oferta dhe po i refuzon ato.

Në Kosovë është bërë mjaft e vështirë të gjesh punë. Edhe më të vështirë e kanë trajnerët e futbollit. Në futbollin kosovar është një numër shumë i madh i trajnerëve të licencuar për t’i udhëhequr klubet. Mirëpo, vetëm një numër i vogël i tyre punon.

Edhe ata që punojnë, profesionin e kryejnë në kushte e rrethana të vështira dhe në çdo moment mund të mesin të papunë. Kjo pasi numri i klubeve në futboll është dukshëm më i vogël dhe klubet kanë mundësi për të zgjedhur, shkruan Gazeta Express.

Ndërkohë, “jetën” e trajnerëve vendorë e vështirëson akoma më shumë fakti se kohëve të fundit klubet po preferojnë trajnerë që vijnë nga shtetet tjera, si Shqipëria apo Maqedonia. Kështu, ka shumë trajner që me vite as që kanë marrë ndonjë ofertë, e lëre më të ketë punuar në ndonjë klub.

Mirëpo,  në këtë kohë të vështirë një trajner i njohur po befason. Fjala është për Afrim Tovërlanin, i cili po merr oferta nga klubet, por po i refuzon ato.

Para disa javësh Tovërlani e kishte refuzuar Gjilanin. Kurse, sot ai e ka refuzuar Ballkanin, i cili u nda me Sami Sermaxhajn.

Tovërlani thotë se po i ruan principet e tij profesionale. Kjo pasi nuk dëshiron ta marrë në dorë një klub në fund apo në gjysmë të kampionatit vetëm për të përfituar vet financiarisht. Dëshiron ta marrë një klub serioz dhe me ambicie herët në mënyrë që ta udhëheq sa më gjatë, të paktën për një edicion të plotë, në mënyrë që të përfitojë edhe personalisht, por t’ia shoh hairin edhe klubi.

(Kosova Sot)