Messi, i jashtëzakonshëm në gjuajtje të lira edhe kundër një roboti gjigant

  • 16 April 2019 - 09:37
Messi, i jashtëzakonshëm në gjuajtje të lira edhe kundër një roboti gjigant

Lionel Messi e ka dëshmuar vazhdimisht gjatë këtij sezoni se është njëri ndër më të mirët në botë kur vjen puna te shënimi i golave nga gjuajtjet e lira.

Që nga sezoni 2011/12, 32-vjeçari Lionel Messi ka shënuar më shumë gola nga gjuajtjet e lira se cilido klub tjetër nga ligat evropiane, me përjashtim të Juventusit.

Në mars, ai e dëshmoi këtë aftësi të tij duke e shënuar një gol të mrekullueshëm nga gjuajtja e lirë kundër Real Betisit, për ta kompletuar het-trikun. Përveç kësaj, ai ka shënuar edhe pesë herë të tjera nga gjuajtja e lirë këtë sezon.

Këtë sezon, Messi i ka lënë shumë prapa vetes futbollistët e tjerë sa i përket statistikat për golat e shënuara nga gjuajtjet e lira. Deri më tani, ai e ka arritur shifrën prej 12 gola nga këto pozita, më shumë sesa të gjithë të tjerët.

Sa i përket teknikës së tij, Marca e ka analizuar atë në detaje, duke raportuar se këmba e argjentinasit kur gjuan goditje të lira vendoset në kënd prej 50 shkallësh. Ai e vendos pothuajse të gjithë këpucën e tij në tokë para se ta godasë topin, duke i dhënë goditjes më shumë stabilitet dhe kontroll.

Për ta përmirësuar saktësinë, Messi i harkon shpatullat e tij dhe gjoksin, duke u kërrusur për ta vendosur trupin në një pozitë më kompakte.

Këtë teknikë pothuajse të përsosur, Messi e dëshmoi edhe kundër një roboti gjigant, pasi që arriti të shënojë edhe kundër tij me çdo tentim, duke e gjetur çdo hapësirë, sado të vogël, për ta dërguar topin në rrjetë. 

(Kosova Sot)