Policia italiane arreston tifozët e armatosur të Ajaxit, para ndeshjes me Juventusin

  • 16 April 2019 - 09:39
Policia italiane arreston tifozët e armatosur të Ajaxit, para ndeshjes me Juventusin

Policia italiane i ka arrestuar 54 tifozë të Ajaxit, të cilët ishin të armatosur, para ndeshjes së klubit të tyre kundër Juventusit në kuadër të çerekfinaleve të Ligës së Kampionëve. Të mërkurën, ata do të dërgohen në Holandë.

Tifozët e Ajaxit u ndaluan në një stacion të autobusëve në periferi të Torinos të hënën.

Policia janë duke i kontrolluar tifozë më shumë sesa zakonisht për shkak të përleshjeve mes dy grupeve të tifozëve para ndeshjes së parë çerekfinale në Amsterdam, javën e kaluar. Policia holandeze ishte detyruar të përdore cisterna uji për t’i shpërndarë tifozët dhe mbi 130 tifozë ishin arrestuar.

Policia e Torinos ka bërë të ditur se tifozët që po hynin në autobusë kishin me vete disa lloje të dorëzave të armatosura, mbrojtëse të dhëmbëve dhe lloje të ndryshme të fishekzjarrëve dhe bombave tymi.

“Ne jemi duke luftuar kundër çdo lloji të dhunës, brenda dhe jashtë stadiumeve. Delikuentët nuk kanë vend më nëpër shtëpitë e futbollit”, është shprehur Ministri i Punëve të Brendshme i Italisë, Matteo Salvini.

Në ndeshjen e parë, e cila përfundoi me rezultat 1:1, një tifoz i kaloi barrierat dhe iu afrua Cristiano Ronaldos kur portugezi shënoi gol për Juventusin. UEFA është duke e hetuar këtë incident dhe Ajaxi mund të dënohet pasi që tifozët kishin gjuajtur objekte të ndryshme në fushë gjatë ndeshjes.

Më shumë se 2,000 tifozë të Ajaxit priten të jenë të pranishëm për ndeshjen e së martës në stadiumin “Allianz”. 

(Kosova Sot)