Klubi anglez nuk do të paguajë asnjë cent për transferimin e Emiliano Salas

  • 16 April 2019 - 12:01
Klubi anglez nuk do të paguajë asnjë cent për transferimin e Emiliano Salas

Drejtuesit e klubit anglez, Cardiff City, ia kanë bërë të ditur FIFA-s se nuk do t’ia paguajnë Nantesit asnjë cent për transferimin e Emiliano Salas, pasi që insistojnë se argjentinasi nuk ishte regjistruar zyrtarisht si lojtar i klubit të tyre.

Emiliano Sala vdiq më 21 janar pasi u rrëzua aeroplani me të cilin po udhëtonte nga Nantesi në Cardiffi. Vetëm dy ditë më parë, ai kishte nënshkruar marrëveshjen me Cardiffin për t’u transferuar atje.

Shuma për të cilën u transferua sulmuesi argjentinas ishte 17 milionë euro, mirëpo përkundër kërkesave të Nantesit edhe në UEFA, edhe në FIFA – Cardiffi s’ka pranuar t’ia paguajë këtë shumë klubit francez.

Cardiffi pretendon se marrëveshja e arritur me Nantesin për transferimin e Salas nuk ishte ligjërisht obliguese. Ata thonë se Sala nuk ishte regjistruar zyrtarisht lojtar i tyre dhe për këtë arsye nuk është e nevojshme ta paguajnë shumën për transferimin e tij.

Në anën tjetër, Nantes pretendon se i kishte kompletuar të gjitha dokumentet e nevojshme dhe se gjithçka ka qenë në pajtueshmëri me rregullat e FIFA-s.

Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, ka bërë të ditur se ai po shpreson se dy klubet në fjalë do ta arrijnë ndonjë marrëveshje mes vete, pa pasur nevojë të ndërhyjë një palë e tretë.

Sala, 28-vjeçar, u zyrtarizua si lojtar i ri i Cardiff Cityt më 19 janar. Vetëm dy ditë më vonë, ai vdiq në një aksident ajror, pasi aeroplani me të cilin po udhëtonte nga Nantesi në Cardiff u rrëzua mbi Kanalin Anglez.

Aeroplani ishte drejtuar nga piloti David Ibbotson, i cili është ende i zhdukur. BBC-ja ka raportuar se Ibbotson nuk kishte qenë i licencuar për ta drejtuar atë aeroplan. Ai besohet se kishte daltonist dhe licenca e tij ishte e kufizuar vetëm gjatë ditës, e jo edhe gjatë natës, kur ishte bërë udhëtimi në fjalë.

(Kosova Sot)