De Gea po përgatitet në mënyrë të veçantë për betejën me Messin

  • 16 April 2019 - 15:15
De Gea po përgatitet në mënyrë të veçantë për betejën me Messin

Portieri spanjoll është i vendosur të mos e lejojë Lionel Messin të mos shënojë as këtë herë kundër Manchester Unitedit, pasi që “Djajtë e kuq” e kanë synim ta përmbysin rezultatin nga ndeshja tjetër. 

Trajneri i portierëve të Manchester Unitedit, Emilio Alvarez, ka bërë të ditur se portieri David De Gea është duke u përgatitur në mënyrë të veçantë për përballjen me Barcelonën në kuadër të çerekfinaleve të Ligës së Kampionëve, që zhvillohet sonte.

Manchester Unitedi ka udhëtuar dje në Barcelonë me qëllimin që ta kthejë rezultatin nga disfata 1:0 që pësoi në Old Trafford, për ta siguruar një vend në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve.

Lionel Messi nuk arriti të shënojë në Mançester, mirëpo argjentinasi i ka shënuar 43 gola në 41 ndeshje të këtij sezoni dhe i ka asistuar 21 të tjera. Për momentin, ai është golashënuesi më i mirë i këtij sezoni të Ligës së Kampionëve.

Argjentinasi është i pushuar mirë për ndeshjen që do të zhvillohet sonte pasi që nuk mori pjesë në barazimin pa gola kundër Huescas të shtunën. Messi do të jetë edhe më i motivuar për këtë ndeshje sepse Barcelona po shpreson ta fitojë tripletën këtë sezon. 

Megjithatë, David De Gea është duke u përgatitur që ta ndalë këtë rrugëtim të argjentinas. Sipas trajnerit të tij, spanjolli ka qenë duke punuar ekstra për t’u përgatitur për përballjen me pesë-herë fituesin e Topit të Artë.

“Ata që e njohin Davidin, e dinë se njëra ndër cilësitë më të mirë të tij është aftësia për të bllokuar gjithçka, mentalisht ai është shumë i fortë”, ka thënë Alvarez për Cadena SER.

“Ne bëjmë diçka më ndryshe kur përballemi me Messin. Me De Gean, kemi bërë punë më specifike. Kur e ke Leon në sulm, duhet të punosh më shumë sesa për ndeshjet e tjera të zakonshme”.

“Nuk do të gënjej nëse ju them se e bëjmë një përgatitje tejet të veçantë. Unë kam punuar në La Liga për shumë vjet me Davidin dhe me portierë të tjerë më parë. Nuk mund ta mohoj se puna është më ndryshe kur vjen puna te Leo. Në fund të fundit, ti tenton t’ia ofrosh të gjitha mjetet dhe informatat portierit për t’i ndihmuar atij”.

“Në këtë ndeshje, ne kemi shumë respekt për kundërshtarin dhe lojtarët e tyre, por pa frikë. Ne kemi qenë të aftë t’i mposhtim rivalët e rëndësishëm si Barcelona, kështu që jemi të aftë të fitojmë kundër cilido klub”.

(Kosova Sot)