Granit Xhaka e sakrifikon Europa Leaguen për Top 4 në Premierligë

  • 16 April 2019 - 15:33
Granit Xhaka e sakrifikon Europa Leaguen për Top 4 në Premierligë

Futbollisti kosovar i kushton më shumë rëndësi përfundimit të sezonit në Premierligë në Top 4 sesa triumfit në Europa League, i cili po ashtu do t’ia siguronte Arsenalit pjesëmarrjen në Champions League sezonin e ardhshëm

Granit Xhaka është i gatshëm ta sakrifikojë suksesin në Europa League nëse bëhet fjalë që Arsenali ta përfundojë sezonin në Top 4 në Premierligë.

“Gunners” e shohin veten në vendin e katërt pas fitores të hënën ndaj Watfordit me rezultat 1:0, falë golit të shënuar nga Pierre-Emerick Aubameyang në minutën e 10-të të ndeshjes pas gabimit të rëndë të portierit Ben Foster. 

Arsenal e sheh veten përpara Chelseat, që është i pesti, falë golaverazhit më të mirë.

Kjo do të nënkuptonte se skuadra e Unai Emery do të rikthehej në Champions League sezonin e ardhshëm, por këtë gjë ky ekip mund ta bëjë edhe duke e fituar Europa Leaguen.

Arsenali do të udhëtojë në Napoli me epërsi prej 2:0 të siguruar në ndeshjen e parë çerekfinale, por Xhaka insiston se përfundimi në katër pozitat e para në Premierligë është një prioritet i klubit londinez.

“Mendoj se ne duam të qëndrojmë në Top 4, duam të kthehemi në Champions League”, deklaroi përfaqësuesi zviceran.

“Për mua, Premierliga është e para dhe më pas, nëse mund të shkojmë në finale dhe ta fitojmë Europa Leaguen, natyrisht, do të ishte diçka e bukur, por për ne Premierliga është prioritet”, shtoi futbollisti kosovar. 

“Ne jemi tash në pozitën e katërt, dy pikë përpara Manchester Unitedit, një pikë më pak se Chelsea dhe një pikë prapa Tottenhamit. Spurs do të luajnë kundër Manchester Cityt këtë fundjavë. Ky mund të jetë një vikend i madh për ne”, shprehet mesfushori kosovar.

Xhaka beson se fitorja në “Vicarage Road” e ka përmirësuar mentalitetin e Arsenalit, i cili nuk ishte mësuar të mos pësonte gol në udhëtim.

“Mendoj se ne kemi nevojë për një karakter ndryshe në udhëtim. Nuk është gjithmonë e lehtë të luash jashtë shtëpisë, duhet të bëjmë duele, duhet t’i fitojmë duelet dhe ju mund ta shihni se nëse e bëjmë këtë mund t’i fitojmë ndeshjet”, shton ai. 

“Nuk më intereson nëse fitojmë 1:0 apo 6:0, është e njëjta, janë tri pikë. Për mua, është më mirë nëse luajmë kështu dhe fitojmë, sesa nëse luajmë më mirë, por nuk i marrim tri pikë”, përfundoi Xhaka. 

(Kosova Sot)