"Play-off"-i me risi

  • 17 April 2019 - 10:01

Nisin ethet e garave shtesë të Superligës së basketbollit  

Në këtë edicion, gjashtë skuadra do të marrin pjesë në garat shtesë. Kjo është një risi, derisa ende nuk dihet nëse do të sjellë frytet e kërkuara. Sa i përket titullit, Prishtina është dukshëm më e favorizuar se skuadrat e tjera

Në fundjavë ka përfunduar edicioni i rregullt në Superligën e Kosovës në basketboll dhe sipas Propozicioneve të Garave për edicionin 2018/19, gjashtë ekipet e para janë plasuar në "play-off". Në raundin e parë ekipet që do të ndeshen janë 3-6 dhe 4-5 deri në dy fitore, kurse ekipet e renditura në pozitat 1 dhe 2 në raundin e parë do të pushojnë dhe në gjysmëfinale do të takohen me ekipet nga renditja 3/4/5/6. Ndeshjet e "play-off"-it do të zhvillohen të dielën, të martën dhe të premten në vazhdimësi pa ndërprerje nëse nuk vjen deri te zhvillimi i ndeshjes së fundit Konform Propozicioneve të Garave. Gjysmëfinalet e "play-off"-it zhvillohen sipas formulës 1vs 4-5 , 2 vs 3-6.

Plasmanin në finale e siguron ekipi që i pari arrin 3 fitore. Gjysmëfinalet zhvillohen sipas formatit 2-2-1 dhe epërsinë e terrenit vendës e ka ekipi më lartë i plasuar në edicionin e rregullt. Në finale të "play-off"-it takohen ekipet fituese të gjysmëfinaleve. Kampion i Superligës shpallet ekipi që i pari arrin tri fitore. Finalja e "play-off"-it zhvillohet sipas formatit vajtje-ardhje. Përparësinë e terrenit vendës e ka ekipi që ka qenë më mirë i renditur në edicionin e rregullt dhe luan si vendës në ndeshjet 1 dhe 3 dhe ndeshjen eventuale 5.

Eksperiment

Rahoveci dhe Ponte Prizreni do të luftojnë për një vend në gjysmëfinale, si dhe Bashkimi me Trepçën. Fituesin e Rahoveci - Ponte Prizreni në gjysmëfinale e pret Ylli, ndërsa fituesin e çerekfinales Bashkimi - Trepça e pret Prishtina në gjysmëfinale. Trajneri i basketbollit, Blerim Krasniqi, është shprehur se garat shtesë me gjashtë skuadra janë eksperiment që nuk dihet nëse do të jetë i suksesshëm. "Sa i përket "playoff"-it me gjashtë skuadra, mendoj se më tepër do të jetë eksperimental dhe jam skeptik se do të sjellë diçka interesante dhe në të mirën e basketbollit. Kjo do të kishte efektiv e vet pozitiv, sikur skuadrat të jenë në një situatë më të favorshme financiare dhe në nivele shumë më të larta organizative, si dhe financiare.

Gjithashtu skuadrat të kenë të drejtën që tetë ditë para "play-off"-it të përforcohen me lojtarë të rinj, sadopak e kishte minimizuar diferencën në cilësi që kanë për momentin. Z Mobile Prishtina dhe Golden Eagle Ylli janë një hap para skuadrave tjera. Duke u bazuar në atë se edhe gjatë gjithë kampionatit të rregullt këto klube janë ballafaquar me probleme të shumta financiare, "play-off"-i, do të jetë ngarkesë shtesë për ekipet e renditura në pozitën 5 dhe 6, dhe asnjë përfitim nuk do të kenë", është shprehur Blerim Krasniqi për gazetën "Kosova Sot".

Favoritët

Pasi dy skuadrat e para do të pushojnë, ata do të jenë më të favorizuara në gjysmëfinale të garave shtesë. "Po ashtu mendoj se nuk do të ketë ndryshime në përfundimtaren e "play-off"-it. Skuadrat janë takuar njëra me tjetrën katër herë dhe janë ngopur, andaj nuk kanë se si të befasojnë. Kur e dimë se gara e "play-off"-it do të jetë shtesë dhe Prishtina e Ylli do të pushojnë, atëherë, këto dy skuadra do të jenë shumë më të favorizuara, derisa i treti do të ballafaqohet me të gjashtin dhe i katërti me të pestin.

Pra, kalendari i ndeshjeve do të jetë shumë i ngjeshur. Kjo do t'i vë ekipet në probleme shtesë, ku do të ballafaqohen me lodhje dhe lëndime, pa pasur mundësi që t'i zëvendësojnë apo të freskojnë ekipin me lojtarë të rinj. Sido që të jetë, të shpresojmë se ky eksperiment me gjashtë skuadra në "play-off" do të jetë i qëlluar dhe të arsyetohet. Pastaj në fund të analizohet nëse ka qenë vendim i drejt apo i gabuar", ka shtuar tutje Blerim Krasniqi për gazetën "Kosova Sot".

(Kosova Sot)