Allegri: As Ronaldo s’mund ta shpëtonte Juventusin nga kjo situatë

  • 17 April 2019 - 10:36
Allegri: As Ronaldo s’mund ta shpëtonte Juventusin nga kjo situatë

Ylli portugez shënoi në të dyja ndeshjet çerekfinale të Juventusit kundër Ajaxit, mirëpo kjo nuk mjaftoi për t’ia siguruar klubit italian një vend në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve.

Cristiano Ronaldo nuk mjaftoi që Juventusi ta kalonte situatën që trajneri Massimiliano Allegri e ka quajtur “situatë emergjente” për gjigantin italian

Mbrëmë, Juventusi nuk arriti ta shfrytëzojë epërsinë e të qenit vendas dhe barazimit 1:1 si mysafir në ndeshjen e javës së kaluar. Ajaxi siguroi fitore më rezultat 2:1 në ndeshjen në “Allianz” dhe një vend në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve.

Allegri beson se skuadra e tij nuk është më e varur sesa që duhet nga Ronaldo, i cili iu bashkua Juventusit verën e kaluar, pasi e fitoi titullin e Ligës së Kampionëve për tri sezonet e fundit radhazi me Real Madridin.

Por, Allegri nuk beson se lojtarët e tjerë të skuadrës ishin duke pritur për magjinë e Ronaldos. Ai e theksoi situatën emergjente në skuadrën e Juventusit, sa i përket përgatitjes fizike.

“Ronaldo na ka ndihmuar shumë neve në këtë kampanjë, por kur arrin në çerekfinale, të nevojiten të gjithë lojtarët. Gjithmonë kam thënë se për ta fituar titullin e Ligës së Kampionëve, të nevojitet formë e mirë dhe nivele të mira fitnesi”, është shprehur Allegri.

“Ne kemi qenë në këtë situatë emergjente tash e sa kohë dhe mund ta duronim atë vetëm për një kohë të caktuar. Neve na mungonin katër ose pesë lojtarë sonte. Daniele Rugani dhe Leonardo Bonucci luajtën mirë për 50 minuta, por pastaj e humbën unitetin dhe organizimin, duke ia dhënë Ajaxit epërsinë”.

Ajaxi u bë ekipi i parë nga jashtë top pesë ligat e mëdha të Evropës që e arrin gjysmëfinalen e Ligës së Kampionëve që nga sezoni 2004/05, kur në këtë fazë arriti klubi tjetër holandez, PSV-ja.

Ajaxi tani do të takohet me Tottenhamin ose Manchester Cityn në gjysmëfinale, pasi arriti të kualifikohet në këtë fazë për herë të parë nga viti 1997 dhe për të nëntën herë në histori të klubit.

Klubi holandez e ka fituar titullin e kampionit të Evropës katër herë më parë, për herë të fundit në vitin 1995. 

(Kosova Sot)