Solskjaer: Mund të duhen vite të tëra për ta rindërtuar Man Unitedin

  • 17 April 2019 - 11:20
Solskjaer: Mund të duhen vite të tëra për ta rindërtuar Man Unitedin

Ole Gunnar Solskjaer e ka pranuar se për ta kthyer Manchester Unitedin në majat e futbollit evropian përsëri mund të nevojiten vite të tëra, pas disfatës së mbrëmshme ndaj Barcelonës.

Duke kërkuar ta përmbysin rezultatin nga disfata 1:0 në ndeshjen e parë të çerekfinaleve të Ligës së Kampionëve, Manchester Unitedi e nisi ndeshjen në Camp Nou mirë dhe një goditje e Marcus Rashfordit e preku shtyllën e portës së Marc-Andre ter Stegenit qysh në minutat e para të ndeshjes.

Megjithatë, ata më vonë i bënë dy gabime që rezultuan me dy gola të shënuara nga Lionel Messi dhe Barcelona e mori kontrollin e ndeshjes. Katalonasit arritën ta sigurojnë një vend në gjysmëfinale me fitore me rezultat të përgjithshëm 4:0. 

Jashtë Ligës së Kampionëve dhe në garë të zjarrtë për një vend në top katërshe të Premierligës këtë sezon, Solskjaer e ka vlerësuar shkallën e vështirësisë së punës së tij në Old Trafford.

“Ne e dimë që kemi shumë punë për të bërë. Kam thënë gjatë gjithë kohës se ndryshimi nuk do të ndodhë brenda natës dhe vitet e ardhshme do të jenë shumë të rëndësishme që ne ta arrijmë nivelin e Barcelonës”, është shprehur Solskjaer pas ndeshjes.

“Ne e kemi pranuar këtë punë dhe kemi biseduar për këtë gjë edhe me lojtarët. Ne duhet ta krijojmë një ambient të sjelljes së nivelit më të lartë profesionist. Për këtë gjë duhet të punojmë çdo ditë”.

“Ne kemi shumë lojtarë të mirë me të cilët mund të punojmë, por, siç kam thënë, puna jonë është ta rindërtojmë skuadrën. Kjo fillon me trajnerët, lojtarët dhe natyrisht një apo dy shtesa gjatë verës”. 

Tani që ëndrrat për triumf në Evropë iu shuan, Manchester Unitedi do të përqendrohet që ta zë një vend në top katërshen e Premierligës. Të dielën ata do të përballen me Evertonin.

(Kosova Sot)